“Shpëton” kryeministri francez! Mocioni i mosbesimit përçan të majtën, mbijeton François Bayrou

Kryeministri francez, François Bayrou, i shpëtoi një mocioni  mosbesimi të nisur në parlament nga e majta ekstreme, pasi partia e ekstremit të djathtë Fronti Kombëtar dhe Socialistët e qendrës së majtë nuk e mbështetën mocionin kundër tij.

128 ligjvënës francezë votuan në favor të mocionit të parë të mosbesimit, por nuk e arritën kufirin e votave që është 289.
E majta ekstreme në Francë, e njohur si Të Papërkulurit (LFI), kishte paraqitur dy mocione të mosbesimit kundër kryeministrit pasi ai kishte përdorur fuqinë e tij kushtetuese për të shtyrë përpara buxhetin vjetor.

Neni i njohur 49.3, i mundëson Qeverisë të kalojë ligje edhe pa votën e Parlamentit. Vendimi nga Partia Socialiste për të mos e mbështetur mocionin zemëroi partnerët e majtë të Frontit të Ri Popullor dhe mund të shkatërrojë koalicionin që së bashku kishte fituar më së shumti vende në zgjedhjet e kaluara.

Marketing

Të martën, lideri i të majtëve ekstremë Jean-Luc Mélenchon, deklaroi se vendimi i Partisë Socialiste nënkupton fundin e koalicionit. “Fronti i Ri Popullor ka një parti më pak”, u shpreh Mélenchon.