Shpronësimet në autostradën Bllacë-Shkup, banorët kërkojnë 100 euro për metër katror

Banorët e Bllacës kuvendojnë në pritje të përfaqësuesve të shtetit për t’ju komunikuar ofertën e shtetit për tokat e tyre. Janë 68 pronarë, në parcelat e të cilëve do të kaloj autostrada e re Shkup-Bllacë. Pas takimit, bllacalinjtë shprehen revoltën se nuk iu pëlqyen kushtet e shpronësimit dhe thonë se do të ankohen.

Marketing

“Jo, asnjëherë! Unë e ceka edhe në mbledhje se unë kërkoj 100 euro se është tokë e imja ‘dem baba dem’ edhe unë prej asaj kam jetuar. Nëse nuk na japin ne do të shkojmë edhe me gjyq. E ceka edhe në mbledhje që do të shkoj deri në Strasburg.”

Ky banor i Bllacës thotë se një herë janë mashtruar nga shteti kur nëpër tokën e tyre ka kaluar rruga e vjetër dhe terminali i doganës. Atëherë thotë se pa i pyetur fare u kanë paguar nga 25 marka.

“E kanë ndarë atë për trase të rrugës edhe neve as nuk na kanë pyetur. Madje paret i kanë hedhur në xhirollogari se i kanë pasur dokumentet tanë sepse na kanë marrë nga rruga që e kanë ndërtuar për terminal, neve na kanë marr edhe dy pjesë të tjera të tokës.”

Tjetri thotë se kjo nuk do të ndodh sërish. Shqetësimi i tij është se a do t’i blihet e gjithë parcela apo vetëm pjesa ku kalon traseja. Nëse trualli i ndahet në dysh, ai thotë se do t’u mbetet pa rrugë.

“Neve së pari nga Kadastra na kanë hequr 60 ari tokë, shteti i Maqedonisë na ka heq. Edhe një hektar e gjysmë ku më mbetet mua? Kah shkoj unë, nga të fluturoj unë? Veç të shkoj me helikopter se nuk kam nga të shkoj tek ara ime. S’kam hyrje-dalje sepse këndej i bie autostrada në anën tjetër malet.”

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani, duke iu referuar Ligjit të ri për vlerësim tha se banorët nuk kanë të drejtë me shpronësimet të pengojnë nisjen e punimeve. Derë e vetme u mbetet ankesa në gjykatë. Osmani u tha banorëve se nuk duhet të shikohen vetëm përfitimet personale, por rëndësinë kombëtare dhe ekonomike që lidh Shkupin me Prishtinën.

“Vlerësimi do të bëhet korrekt ndaj njerëzve dhe sigurisht nuk do të dëmtohet askush në bazë të kornizës ligjore. E vërtetë është që qytetarët kanë të drejtë vetëm të ankimojnë vlerën, por jo edhe të ankimojnë të drejtën për ta dhënë tokën”, tha Osmani.

Ndonëse erdhën për t’iu thënë çmimin të gjithëve, haptazi nuk e bënë. Jo zyrtarisht, vlerësimi do të jetë nga 10 deri në 50 euro për metër katror. Drejtori i Byrosë për ekspertizë ligjore paralajmëroi se oferta banorëve do t’u dërgohet përmes postës.

“Ka parcela që janë kryesisht me tokë pjellore, ka të tjera që janë tokë e thatë e pa punuar aspak dhe ka parcela që janë rreth rrugës. Sipas këtyre karakteristikave do të bëhet vlerësimi që do të jep çmimin dhe do tu bëhet shpagimi i banorëve të kësaj zone”- tha Valdet Xhaferi, Drejtor i Byrosë për Ekspertizë Ligjore.

Takimi me banorët erdhi një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e dy kilometrave të para të autostradës, të cilat do të nisin nga pika kufitare deri tek mbikalimi i fshatit Bllacë e Epërme. Ky segment do të ndërtohet mbi rrugën aktuale, punimet pritet të nisin në pranverë dhe të zgjasin 18 muaj. Sipas projektit, kosto e 2 kilometrave është 12,2 milion euro pa llogaritur vlerën e 68 pronave që duhet të eksproperiohen. Ndërkaq, segmenti i dytë prej 10,5 km është në fazën projektuese dhe do të kushtoj mbi 105 milion euro. Për të tenderi pritet të shpallet pas një viti dhe punimet të zgjasin 36 muaj të tjerë. E gjithë autostrada Shkup-Bllacë do të jetë e gjatë 12.5 km, në të cilin do të ketë 8 viadukte dhe 4 tunele, e cila nuk do të jetë gati para viti 2023.