Kuvendi votoi me 117 vota pro heqjen e mandatit të deputetit Arben Ahmetajt, duke i hapur rrugë arrestimit të ish. zv. kryeministrit.
120 deputetë ishin prezent, 117 votuan pro, asnjë kundër dhe tre abstenuan.
22 deputetë mungonin në sallë, ndërsa tre deputetët në abstenuan ishin Fatmir Mediu, Agron Duka dhe Vangjel Dule.
Ky ishte hapi i fundit që i takonte kuvendit të Shqipërisë. Kuvendi do njoftojë SPAK për vendimmarrjen dhe më pas do bëhet botimi në Fletoren Zyrtare.
SPAK do marrë leje në Gjykatë për të vijuar me arrestimin dhe kontrollin e banesës së Ahmetaj, i cili nuk ndodhet në Shqipëri. Tashmë gjithçka tjetër mbetet në dorën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
SPAK deklaron se ka mbledhur prova që tregojnë se ish-ministri i Financave në gjashtë raste ka kryer korrupsion. Shembulli më korruptiv dhe flagrant lidhet me gjurmët e mbetura në kompjuterin e Klodian Zotos, një i kërkuar dhe i akuzuar për inceneratorët i cili dyshohet se i pagoi udhëtime në disa shtete, atij dhe bashkëshortes. Pesë rastet e tjera të korrupsionit mbahen sekret nga SPAK pasi ka edhe persona të tjerë nën hetim.
Në letër-porositë e ndërkombëtarëve por edhe llogaritë bankare, SPAK thotë se nga udhëtimet, Arben Ahmetaj përfitoi 34 mijë euro.
Kjo ishte gjurma e parë që u bë shkak që SPAK ta veçonte Ahmetaj në atë kohë numri dy i qeverisë nga dosja 277 thënë ndryshe inceneratori i Elbasanit, duke e ndarë në fraksion më vete.
Por Arben Ahmetaj dyshohet nga SPAK për veprime të dyshimta për të tre inceneratorët. Akuza tjetër lidhet me fshehjen e pasurisë, dhe hetimi bazohet në sekuestrimin preventiv ndaj dy vilave, njëra në Palasë dhe tjetra në Hamallaj.