Nën drejtimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, u zhvillua sot nëpërmjet një video-konference, mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, lidhur me situatën në vend nga përhapja e pandemisë globale COVID-19.
Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama, ministra si dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa në fokus të diskutimeve ishin disa çështje në lidhje me situatën dhe masat kundër COVID-19.
“Çështjet kryesore që u diskutuan ishin vlerësimi mbi situatën aktuale të pandemisë, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal”, thuhet në njoftimin nga Presidenca e Shqipërisë.
Në njoftim theksohet se kryeministri Rama dhe ministrat përgjegjës informuan për masat e marra për përballimin e krizës shëndetësore dhe social-ekonomike, si dhe për menaxhimin e mëtejshëm të situatës.
Më tej thuhet se kryetari i Kuvendit Ruçi shprehu angazhimin për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për ta tejkaluar këtë pandemi me pasoja sa më të lehta për qytetarët dhe ekonominë.
“Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, i ekonomisë kombëtare, si dhe përmbyllja e vitit shkollor”, theksohet në njoftim.
Kujtojmë se deri tani në Shqipëri janë konfirmuar gjithsej 494 raste pozitive me COVID-19, përfshirë edhe 25 personat që kanë ndërruar jetë, ndërsa mes tyre 251 janë shëruar.
Në vend është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa institucionet kanë marrë masa të shumta si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.