Shqipëria edhe më tej po dridhet prej dje në orën 11:02 kur u regjistrua tërmeti më i fuqishëm me intensitet prej 5,2 ballësh sipas shkallës së Riterit, ndërsa deri sot pasdite janë regjistruar më shumë se 300 tërmete me fuqi të ndryshme.
“Ky tërmet është një tërmet mesatar dhe tërmete të tilla me magnitudë mbi pesë janë tërmete që shoqërohen me goditje, kjo sepse në goditjen kryesore nuk çlirohet e gjithë energjia e akumuluar dhe do të kërkohet të çlirohet derisa të vendoset gjendja e ekuilibrit.
Çlirimi i saj kryhet nëpërmjet tërmeteve të tjera më të vegjël. Dhe kështu ka ndodhur me rastin konkret të këtij tërmeti që deri tani janë regjistruar mbi 300 goditje nga të cilat dy prej tyre janë me magnituda më të mëdha se 4, njëra 4.2 dhe tjetra 4.3”, deklaroi Rapo Ormeni nga Instituti i Sizmologjisë në Tiranë.
Komisionet kompetente komunale kanë paralajmëruar se do të fillojnë punën e tyre në terren për vlerësimin e dëmit material.