Shqipëria hap negociatat me Bashkimin Evropian për grup-kapitullin 6 që përfshin marrëdhëniet me jashtë.
Në prag të konferencës së 3 ndërqeveritare që do të zhvillohet në Bruksel më 18 dhjetor, Parlamenti miratoi sot pozicionin negociues të qeverisë shqiptare.
Partia Demokratike e ka bërë të qartë se mbështet procesin e integrimit, por nuk mori pjesë në votim pasi sugjerimet e saj u hodhën poshtë gjatë diskutimit në Komisionin e Integrimit.
“Procesi i integrimit nuk mund të mbështetet vetëm në pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë. Është jetike që bizneset, shoqëria civile dhe qytetarët të përfshihen në këtë proces. Mbajtja e këtij procesi në dyer të mbyllura është një tjetër tregues i mungesës së transparencës nga ana e qeverisë, tha Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit të Integrimit.
Në emër të qeverisë, kryenegociatorja Majlinda Dhuka theksoi se Shqipëria është gati të nisë bisedimet edhe për kapituj të tjerë.
“Shqipëria i ka pararenduar përgatitjet për të hapur edhe kapituj të tjerë”, tha Dhuka.
Për shkak të sekretit, diskutimi dhe miratimi i pozicionit negociues u zhvillua pa praninë e medias.
Për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, Shqipërisë i duhet të nisë dhe të përfundojë negociatat për 35 kapituj. Më 18 dhjetor, kur të zhvillohet konferenca ndërqeveritare, Shqipëria do të ketë hapur gjithsej 7 kapituj./