Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruajnë dy marrëveshje

Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nënshkruar marrëveshje për fushën e energjisë dhe projektin e “Qytetit Inteligjent” në Shqipëri.

Marketing

Nënshkrimi i marrëveshjeve u bë sot gjatë një vizite të sheikut Mohammed bin Zayed në Tiranë, e para kjo në cilësinë e presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye të një delegacioni të nivelit të lartë.

Kryeministri Rama ka shkruar në Facebook se shkëmbimi i marrëveshjeve të nënshkruara janë në kuadër të bashkëpunimit midis Masdar, TAQA, KESH dhe OST për rritjen e prodhimit e të transmetimit të energjisë së pastër, si edhe i letrës së angazhimit për Projektin “Qytet Inteligjent”, që do të garantojë monitorimin e rrugëve e shkollave falë teknologjisë së lartë dhe ekspertizës së “Presight AI Ltd”.

Kujtojmë, kjo është vizita e dytë e Sheikut Bin Zayed në Shqipëri, pas asaj të vitit 1999 në Kukës, ku u strehuan mijëra qytetarë të Kosovës gjatë luftës.

Bin Zayed ishte donatori më i madh për fondin e rindërtimit pas tërmetit në Durrës dhe lagja e re në Spitallë është ndërtuar e gjitha prej tij.