Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me pikë të përbashkët kufitare

Zëvendësministrja e Brendshme e Shqipërisë, Rovena Voda e pranishme të hënën në Komisionin e ligjeve, ka bërë të ditur se qeveria shqiptare po punon ngushtësisht edhe me Maqedoninë e Veriut për një marrëveshje për pika të përbashkëta kufitare, ashtu siç ka ndodhur më herët me Kosovën, në pikën kufitare të Morinës.

Marketing

Zëvendësministrja Voda, duke diskutuar për shqyrtimi e Projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”, u shpreh se kjo marrëveshje synon dy pika të rëndësishme; shpejtësinë e kalimit të qytetarëve dhe rritjen e efikasitetit në kontrollin kufitarë në luftën ndaj krimit ndërkufitarë, terrorizmit dhe trafikimeve të ndryshme.

Sipas saj, kjo marrëveshje vjen pas eksperiencës pozitive që vendi ynë ka për pikën kufitare të “Muriqanit”. “Marrëveshja për pikat e përbashkëta kufitare vjen pas eksperiencës pozitive të parë të kësaj natyre, të vitit 2008 për lehtësimin e kalimit në pikën kufitare të Muriqanit me Malin e Zi, dhe që çon në një lehtësim të jashtëzakonshëm për kalimin në pikat e kalimit kufitarë, veçanërisht në sezonin turistik”, tha Voda.

Sipas zv ministres, marrëveshje me Kosovën është e rëndësishme për të përballuar sa më mirë fluksin e lartë që ka kjo pikë, ku janë bërë dhe investime të rëndësishme.
“Sa i takon pikës kufitare të “Morinës”, që na lidh me Kosovën, rezulton se është një pikë kufitare që ka pasur një fluks të lartë. Vetëm gjatë periudhës 9 mujore nga janari në shtator 2018 kanë kaluar 4 milionë e 794 mijë e 138 shtetas me 1 milion e 470 mijë e 50 automjete”, tha Voda.

“Edhe infrastruktura është përmirësuar pas financimit të BE, janë tashmë 12 korsi në total. Po ashtu është investuar dhe në kabinat ku bëhet kontrollit. Unë isha para një jave në një inspektim dhe gjithçka ecte pozitivisht. Kjo marrëveshje, shtoj Voda, lehtëson jo vetëm fluksin e qytetarëve dhe mjeteve, por dhe bashkëpunimin policor të të dyja vendeve. Kemi tanimë një godinë të përbashkët edhe me policinë e Kosovës. Gjithashtu dhe autoriteteve doganore, që lehtëson kalimin dhe gjithashtu rrit kontrollet”, tha ajo.

“Bashkëpunimi policorë fal marrëveshjes do të jetë më i larë, duke forcuar luftën ndaj trafikimit, luftën ndaj krimit ndërkufitarë dhe terrorizmit. Kjo marrëveshje bazohet te ligji për marrëveshjet ndërkombëtare”, shtoi Voda/ATSH. (koha.mk)

Marketing