Shqipëria, furnizuesja kryesore e Evropës me kanabis

Qendra Evropiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA) ka publikuar raportin vjetor të drogave të vitit 2018, ku shpreh shqetësimin për rishfaqjen e kokainës në një treg dinamik të narkotikëve në Evropë. Ka evidenca të rritjes së disponueshmërisë së kokainës, thekson raporti, i cili ka marrë në shqyrtim 28 vendet e Bashkimit Evropian si dhe Turqinë e Norvegjinë.

Marketing

Disponueshmëria e narkotikëve është e lartë dhe në disa zona duket se po rritet. Të dhënat e fundit tregojnë se në Evropë (BE-28, Turqia dhe Norvegjia) u raportuan në vitin 2016 mbi 1 milion kapje të drogave ilegale. Mbi 92 milionë të rritur në BE (15–64 vjeç) kanë provuar një drogë të paligjshme përgjatë jetës së tyre dhe një numër i vlerësuar prej 1.3 milionë njerëzish kanë marrë trajtim për përdorim të paligjshëm të drogave në 2016 (BE-28).

Dimitris Avramopoulos, Komisioner Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, thotë: “Ne po shohim prodhim më të lartë të drogës dhe disponueshmërisë së tij në Evropë sot. Për më tepër, tregu i paligjshëm i drogës është shumë dinamik dhe i adaptueshëm – prandaj edhe më i rrezikshëm.

Nëse duam të qëndrojmë përpara lojës, përpjekjet tona duhet të përqendrohen në ndërtimin e elasticitetit dhe reagimit, sidomos për shkak të rritjes së rëndësisë së tregut online dhe zhvillimit të llojeve të reja të drogës. Me rregullat e reja mbi substancat e reja psikoaktive që hyjnë në fuqi deri në fund të vitit, Evropa do të pajiset me mjete shtesë dhe më të fuqishme për të trajtuar më mirë këto sfida dhe për të mbrojtur më mirë qytetarët evropianë kundër drogave të rrezikshme”.

Kokaina është droga stimuluese më e zakonshme e përdorur në Evropë. Rreth 2.3 milion të rinj (15-34 vjeç) e kanë përdorur atë në vitin e fundit (BE-28). Në sfondin e shenjave të rritjes së kultivimit dhe prodhimit të kokainës në Amerikën Latine, analiza konfirmon se tregu i kokainës në Evropë është i lartë, me indikatorët, që tregojnë tashmë rritjen e disponueshmërisë së drogës në një numër vendesh.

Megjithëse çmimi i kokainës mbeti i qëndrueshëm, pastërtia e saj në përdorimin në rrugë arriti nivelin më të lartë në një dekadë në 2016. Numri i konfiskimeve të kokainës është rritur gjithashtu. Rreth 98 000 konfiskime të drogës janë raportuar në BE në vitin 2016 (90,000 në 2015), duke arritur në 70.9 ton.

Laniel i EMCDDA: Shqipëria vijon të jetë burim i furnizimit të kanabisit në BE, “kjo është e sigurt”.

Raporti përmend vetëm se Ballkani Perëndimor është një burim si i barit të kanabisit ashtu dhe i vajit të kanabisit.

I kontaktuar me telefon nga “Monitor”, pas daljes së raportit, Laurent Laniel, analist shkencor për reduktimin e ofertës së drogës, në Qendrën evropiane të Drogave dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA) tha se raporti është i fokusuar vetëm në vendet e Bashkimit Evropianë dhe Turqinë e Norvegjinë, ndaj nuk i përmend specifikisht vendet e Ballkanit.

Megjithatë, ai shton se nga informacionet që ata kanë Shqipëria vazhdon të jetë burim i furnizimit të kanabisit që trafikohet dhe konsumohet në BE dhe “kjo është e sigurt”.

Marketing