Qeveria shqiptare ka miratuar në parim “protokollet e aderimit në NATO për Finlandën dhe Suedinë”.
“Ky zhvillim forcon sigurinë në hapësirën euro-atlantike dhe vetë bashkëpunimin NATO-BE. Është një zhvillim që vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e agresionit rus kundër Ukrainës. Fakti që Finlanda dhe Suedia duan të anëtarësohen në NATO, flet qartë për nivelin e kërcënimit me të cilin përballet sot Evropa.”, tha Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
“Kjo tregon edhe besimin që gëzon NATO, në garantimin e sigurisë kolektive të çdo vendi anëtar. Shqipëria e ka mbështetur gjithmonë politikën e dyerve të hapura nga ana e NATO. Suedia e Finlanda, janë dy demokraci model që kanë dhënë kontribute të rëndësishme në misionet e NATO-s. Shpresojmë që ky moment do t’i japë një momentum të ri zgjerimit të mëtejshëm të NATO edhe në BP. Dua të theksoj sidomos rastin e Kosovës, e cila ndan me Aleancën të njëjtat parime dhe vlera.”, deklaroi Xhaçka.