Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka bërë të ditur se do të nisin drejt Kosovës një kontingjent ushtarësh në kuadër të misionit të KFOR-it. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, teksa ka takuar ushtarërt para nisjes.
“Pas tërheqjes dhe përmbylljes së misionit në Afganistan, ne u angazhuam se do të vazhdojmë pjesëmarrjen në operacione të NATO-së dhe ndërkombëtare në përgjithësi. Dhe ky është rasti, ne po materalizojmë, shtimin e prezencës tonë në KFOR, për herë të parë çojmë në këtë mision, misionin KFOR 1, një kontingjent special të veçantë të djemve dhe vajzave më të mirë që ne kemi në forca të armatosura”, ka thënë ministri Peleshi.
Peleshi thotë se në këto ditë kur paqja dhe siguria globale po sfidohet nga Rusia, shtohet dy fish vëmendja dhe përgjegjësia e secilit për të shërbyer me profesionalizëm, dinjitet, disiplinë ushtarake dhe me respektim të vlerave të Aleancës.
“Asnjë inç i kësaj Aleance nuk mund të preket, sepse NATO është Aleanca më e fuqishme ushtarake dhe politike në botë”, ka thënë tutje Peleshi.