Avantazhet e pushimeve në Shqipëri përfshijnë çmimet e përballueshme, faktin që vendi nuk është shfrytëzuar akoma nga turmat e turistëve, plazhet e pastra, kanionet piktoreske, natyrën e paprekur si edhe zonat turistike, shkruan faqja etiopiane e turizmit awutar.com.
“Shërbimi është në nivel të lartë evropian dhe vendasit janë shumë mikpritës dhe i respektojnë turistët. Diçka që duhet të bësh patjetër në Shqipëri është të njihesh me kuzhinën dhe verën vendase. Shqipëria në këtë aspekt nuk është aspak larg Francës, ajo do të të kënaqë me pjatat e mrekullueshme dhe varietet e shumta të pijeve, transmeton ATSH”.
Muzeu Kombëtar Etnografik në Berat
Muzeu i qytetit të Beratit është hapur relativisht kohët e fundit – në vitin 1979. Vetë ndërtesa, e ndërtuar sipas arkitekturës tradicionale Beratase, tërheq vëmendjen, si dhe mobiliet mahnitëse, të ndërtuara brenda në shtëpi. Muzeu Etnografik Kombëtar ju mundëson të njiheni me jetën e njerëzve vendas, me traditat dhe zanatet e tyre, në veçanti, procesin e prodhimit të vajit të ullirit. Koleksioni i muzeut ka më shumë se 1 000 ekspozime, përcjell albinfo.ch.
Punishtja e verës “Çobo”
Ky është një biznes familjar, ku pronarët e të cilit me kënaqësi u tregojnë turistëve të gjitha veçoritë e prodhimit të verës dhe i lejojnë ata të provojnë llojet e ndryshme të saj, që është krenaria e Shqipërisë. Fillimisht vizitorët në punishten e familjes ”Çobo” prezantohen me prodhimin dhe më pas me koleksionin e verërave në shishet e ndara sipas vitit të prodhimit. Ka verë të bardhë dhe të kuqe, dhe mundësitë e zgjedhjes janë të shumta. Edhe qilari i verës është shumë piktoresk, me mozaikë dhe qypa të vjetër që përdoren për ruajtje. Punishtja gjendet pranë qytetit të Beratit.
Sheshi “Skënderbej”
Nëse Tirana është qyteti kryesor i Shqipërisë, atëherë sheshi “Skënderbej” është qendra dhe zemra e saj. Ku mblidhen ndërtesat dhe atraksionet kryesore. Në qendër të sheshit gjendet monumenti i Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar. Rreth tij gjenden ndërtesa interesante si xhamia e Et’hem Beut, Opera, Muzeu Kombëtar dhe Kulla e Sahatit, ndërtuar në vitin 1822. Madhësia e sheshit “Skënderbej” krahasohet me atë të Sheshit të Kuq, të gjitha ndërtesat janë të dizenjuara në stilin e klasicizmit italian.
Muzeu Historik Kombëtar
Ky muze u themelua në vitin 1981, ndodhet në sheshin ”Skënderbej”, në qendër të Tiranës. Ky është më i madhi nga të gjitha muzetë shqiptarë, ka një koleksion prej më shumë se 5 000 ekspozimesh. Në muze ne ju rekomandojmë që të vizitoni pavijonin e vjetër, ku mblidhen ekspozimet nga koha paleolitike. Ekziston një pavijon i veçantë i Mesjetës, si dhe departamente të ikonografisë, rilindjes, anti-fashizmit, pavarësisë dhe etnografisë. Çdo gjë është shumë e përshtatshme për turistët dhe ju lejon të njiheni me të gjitha fazat e historisë së Shqipërisë.
Liqeni i Shkodrës
Ky është liqeni më i madh i të gjithë Gadishullit Ballkanik, i gjendur njëkohësisht mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Liqeni i Shkodrës tërheq turistët me brigjet e tij piktoreskë, florën dhe faunën e pasur, ujin e pastër dhe zonat natyrore të paprekura që janë nën mbrojtjen e shtetit. Lundrimi në Liqenin e Shkodrës është i zhvilluar mirë, prandaj është më mirë të shkoni në një udhëtim me varkë.
Resortet në Ksamil
Ky është vendpushimi më i famshëm në Shqipëri, që mrekullon turistët me ujin e pastër dhe plazhet e mrekullueshme. Fillimisht duket se në plazh gjendet rërë e zakonshme, megjithëse e bardhë si dëborë dhe shumë e trashë. Megjithatë, pas shikimit nga afër, mund të kuptohet se kjo nuk është rërë, por gurë, në madhësi aq të vogël. Uji në Ksamil, që ndodhet pranë qytetit të Sarandës, ka një ngjyrë të pabesueshme blu, si në një pishinë. Përveç kësaj, ka disa ishuj të pabanuar, që mund të arrihen me not.
Kalaja e Beratit
Berati, i cili ndodhet 123 kilometra larg Tiranës, jo më kot quhet qyteti-muze. Ai është një muze i vërtetë i arkitekturës së lashtë dhe historisë. Kalaja e Beratit është një nga vendet më të famshme në qytet, e vendosur në qendër, dhe si duhet të jetë – në kodër. Kështjella është ndërtuar në shekullin XIII, prej aty vëzhgohet i gjithë qyteti dhe shtrati i lumit. Jo vetëm turistët vijnë këtu, por edhe të porsamartuarit. Pamja nga kështjella është mahnitëse, dhe brenda ka disa mure të lashtë dhe një koleksion të objekteve historike.