Nga Ermir Gjinishi –
Rrëzimi i murit të Berlinit ishte këmbana e ndryshimeve në mbarë Europën Lindore. Ballkani, rajoni më i afërt, i cili trashëgon tensionin ndërmjet demokracisë perëndimore dhe monizmit komunist lindor, u fut në një periudhë ndryshimesh të cilat prej tridhjet vitesh identifikohen si periudhë tranzicioni. Në fakt, Berlini komunist ishte po aq ndryshe nga Boni kur ndryshoi kursin, por nuk ju desh aspak kaq kohë të rikthehej në kryeqytetin e Gjermanisë së bashkuar. Sigurisht, do të ishte fanta-aventurë të krahasosh integrimin e dy gjermanive me histori, gjuhë, kulturë e etni të njejtë, në një tërësi unike natyrale, me transformimet në Ballkan, ku elementët përbërës nuk janë as të njëvlefshëm as të njëtrajtshëm. Por gjithësesi, shtetet ballkanike, secili me karakteristikat e veta, bashkohen në tranzicionin e gjatë dhe të mundimshëm. Do të ishte e gabuar të analizosh tranzicionin ballkanik si një tërësi e vetme. Shtete ballkanike në këtë periudhë tranzitore janë tipoligji të ndara pavarësisht faktorëve interferues.
Hapësira e ish Jugosllavisë ndoshta është rasti ku interferimi i këtyre faktorëve është më i qartë dhe më ndikues. Ndryshimet në ish-Jugosllavinë socialiste krijuan shtatë shtete, secili me problematika të trashëguara, disa ende të pazgjidhura. Realisht shpërbërja e ish-Jugosllavisë federale ishte tretja e një ngjizje të stisur, produkt i efekteve narkomane të ideologjive ekstreme nacioinal-komuniste, të cilat u bashkuan nën kultin e revolucionit lindor ideologjik, politik, kulturor e ekonomik ndaj të gjithë pjesës tjetër të botës, si një zgjidhje e vetme absolute e pa negociueshme. Ky ishte modeli që i vjen fiks kostumi i qepur nga Nice me fjalët: “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa, në vegla dhe armiq”. Ishte pikërisht kjo qasje dokrtinare absolute, përjashtuese, imponuese, që rrëzoi të gjithë ish kampin socialist.
Në ish Jugosllavinë multietnike, monisto-komuniste, nacional-komunizmi u mbështet në mazhorancat etnike të cilat parapëlqenin të ishin cekani që i trajtonte pakicat si gozhdë. Në vorbullën e dikotomisë “cekan-gozhdë” mbijetuan pakicat etnike për tu rizgjuar pas viteve 90 në një performancë asimetrike. Mazhorancat etnike arritën ta ruanin dominimin politik në shtetet e tyre pikërisht duke u bazuar në etni. Madje disa nga ato kanë influencë politike edhe në shtetet kufitare ku etnia e tyre është pakicë. Ky konfigurim i mbartur ka krijuar një rivalitet etnik, jo politik në skenën e demokracive hibrite të reja. Në këtë lloj dualizmi, vërtitet dhe faktori shqiptar, herë mazhorancë dhe herë minorancë, por me një ndryshim. Ai nuk ka mundur të dalë akoma nga “kurthi” i etnicitetit i imponuar nga mazhorancat dominuese në ish Jugosllavi të cilat frenojnë zhvillimet normale demokratike. Ai akoma nuk është unifikuar aq sa të jetë një pol qëndrueshëm, përfaqësues, gjithëpërfshirës, i cili të ketë mundësi të ofrojë alternativa bindëse jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë shoqërinë, pavarësisht grupeve etnike që e përbëjnë atë.
Kjo situatë është prezente dhe në Maqedoninë e Veriut. Gara politike midis partive maqedonase dhe atyre shqiptare nuk premton për ndonjë ndryshim cudibërës. Spektri politik maqedonas ka arritur të unifikohet me kohë në dy blloqet klasike të politikës, majtas dhe djathtas. Pjesë e sistemit monist të dikurshëm, ish-Lidhja komuniste e Maqedonisë e transformuar më 1991, ndërroi emrin në Lidhja Demoktratike e Maqedonisë (LSDM) dhe e djadhta politike me orientim nacionalist Partia Demokratike për Bashkim Kombëtar Maqedonas (VMRO-DPMNE) janë dy blloqet politike të cilat pavarësisht lojës së tyre politike pozitë-opozitë, nuk kanë ndryshuar për 30 vite. Partitë shqiptare janë orvatur më shumë të justifikojnë aleancat me këto dy blloqe maqedonase sesa të përpiqen për bashkimin e faktorit politik shqiptar. Tashmë me video-përgjimin e Zaevit u gris idea e alencave bazuar mbi ndjesi emocionale jo në marrëveshje politike të qëndrueshme e transparente. Nuk ka maqedonas të mirë dhe më pak të mirë apo të këqinj, por vetëm shqiptarë dhe maqedonas, qytetarë të Maqedonisë së Veriut.
Përtej shifrave mazhorancë-minorancë, faktori shqiptar me fragmentarizimin e tejskajshëm politik, ka ndihmuar mazhorancën maqedonase jo vetëm ta dominojë atë etnikisht por edhe politikisht. Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut me karakterin fraksionist dështuan të bashkohen edhe këtë herë përballë BDI-së, duke e favorizuar përsëri në këto zgjedhje. Mungesa e aleancës së partive shqiptare në një front të përbashkët politik garanton rrjedhjen e votave të shqiptarëve dhe defaktorizimin e mëtejshëm politik. Sistemi zgjedhor aktual me gjashtë zona zgjedhore favorizon partitë e mëdha, specifikisht ato maqedonase të cilat në tre zona praktikisht nuk do të kenë asnjë deputet shqiptar, dhe në zonat e tjera ul mundësinë e rritjes së numrit të tyre thellësisht, për shkak të përcarjes së partive politike shqiptare. Kjo situatë është e qartë sidomos në zonën gjashtë ku shqiptarët edhe pse dominantë në numër, shumë parti politike shqiptare garojnë mes vetes duke ulur kështu mundësinë e rritjes së numrit të deputetëve shqiptarë.
Ky fragmenratizim i partive politike shqiptare jo vetëm që dëmton përfaqësimin sasior e cilësor të shqiptarëve por asimilon deri në tëhuajëzim votën e tyre drejt partive maqedonase apo atyre partive në aleancë me to. Nga ana tjetër përfshirja e forcave të tjera shqiptare dhe jo shqiptare nga rajoni në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut shton firot ekektorale tek shqiptarët. Kështu “Lëvizja Vetvendosje” do ta rrisë më tej dozën e përcarjes dhe do ti shtoi një dimension nacionalist fallco të pa nevojshëm realitetit etnik atje. Them kështu, sepse hiperaksioni politik i saj thjesh nuk kthehet në rritjen e numrit të deputetëve shqiptar atje, përkundrazi. Kjo kakofoni mediokre nacionalizmash nuk vlen. Ajo po mban peng si demokratizimin e brendshëm partiak ashtu dhe demokracinë në Maqedoninë e Veriut. Vec kësaj, ndarja e partisë “Besa” e rëndon më tej situatën e partive politike shqiptare. Është e tepërt, e pa moralshme për realitetin, të predikosh nacionalizma me lira turke në xhepa. Shqiptarët nuk kanë nevojë të importojnë konflikte nga rajoni të cilat nuk i shërbejnë kauzës së tyre. Kjo sjellje politike përvec dëmit elektoral ka dhe kosto politike sidomos tek faktori ndërkombëtar. Edhe në skenën politike të brendëshme shqiptare, binjakëzime të tilla fermentojnë defaktorizim, përcarje, dhe krijojnë hapësira për keqpërdorimin e shqiptarëve në sfida rajonale të nxehta të cilat vetëm e dëmtojnë perspektivën e tyre euro-atllantike. Interesat politike individuale të lidershipit politik nuk mund të dekompozojnë deri në këtë pikë hapësirat demokratike të një shoqërie bipolare e cila rrezikon autoritarizëm dhe defaktorizim të shqiptarëve.
Tipike në këto zgjedhje, përtej ofertës politike e cila thuajse ripërsëritet copy-paste në pjesën më të madhe të programeve partiake tek faktori politik shqiptar, është ideja e një kryeministri shqiptar. Shqiptarët janë një etni shtetformuese në Maqedoninë e Veriut. Qëndrimi i tyre mbi perspektivat integruese euro-atllantike të shtetit kanë qenë konsekuente, pa ekuivok, më të qarta dhe më të prera se partitë maqedonase. Formacionet politike shqiptare nuk kanë patur kurrë luhatje rreth të ardhmes së vendit. Nga ana tjetër, pavarësisht përcarjeve partiake, asnjë mazhorancë nuk mund të qeverisë pa koalicion me parti shqiptare, të cilat kanë prodhuar stabilitet, madje edhe në dëm të shqiptarëve. Këtu kam parasysh më së tepërmi, vonesën dhe mosrealizimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit. Në këto rrethana, koha për një kryeministër shqiptar, është pak të thuash e vonuar. Ky do të jetë një hap i rëndësishëm i cili do të hapë një epokë të re në Maqedoninë e Veriut. Do të bashkojë vendin, do të mbyllë kontraditat e trashëguara dhe do të demoktratizojë shtetin.
Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut javën tjetër duhet të reflektojnë ndryshim në mendësi tek faktori politik shqiptar. Nuk ka më kohë për të humbur. Pa bashkimin e partive politike shqiptare në dy blloqe të ngjashme me ato maqedonase, shqiptarët do të mbeten peng i ligjërimeve nacionaliste fallco pa asnjë produkt real të qënësishëm, me defaktorizim gërryes. Në vend që ti jipni politikanëve celësat e qyteteve, do të ishte më mire ti ndryshoni bravat. Në këtë realitet politik kaq të brishtë nuk mund të jemi aq “liberal” sa të mos mbajmë as anën tonë, por dhe jo aq konservator sa ti zëmë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal”.
Të mërkurën shqiptarët duhet të votojnë masivisht vetëm parti të mirëfillta shqiptare, pavarësisht se janë në opozitë apo pozitë. Vetëm kështu do të mund të minimizojnë firot nga mungesa e një koalicioni të gjerë shqiptar, të shmangin erozionin elektoral dhe ta kthejnë votën shqiptare në produktive. Bëjeni.