Shqiptarët dhe popujt e tjerë të Ballkanit që jetojnë në Turqi i kanë pritur me pikëllim deklaratat dhe sulmet e ditëve të fundit me përmbajtje ofenduese ndaj Turqisë dhe popullit turk nga disa grupe në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Shoqatës për Bashkëpunim dhe Kontakt të Vazhdueshëm me Ballkanin, Ali Sait Adiloğlu në një prononcim për AA tha se në Kosovë gjatë ditëve të fundit po ndodhin ngjarje të çuditshme kundër Turqisë. Sipas tij, dy rastet që ndodhën, përkatësisht deklaratat ofenduese të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Gjergj Dedaj dhe më pas pamjet ku digjet flamuri i Turqisë janë të pazakonshme dhe jonormale.
Duke rikujtuar se ndaj postimeve të Dedajt së pari ka reaguar Qeveria e Kosovës, Adiloğlu tha se po ashtu edhe reagimi i parë ndaj pamjeve të djegjes së flamurit turk përsëri ka ardhur nga qeveria dhe populli i Kosovës.
Adiloğlu shprehu mendimin se përgjigjen më të mirë ndaj këtyre veprimeve të pamatura të atyre që nuk mund të pranojnë miqësinë në mes të Kosovës dhe Turqisë, e kanë dhënë përsëri komunitetet që jetojnë në Kosovë.
“Turqia ishte shteti i cili ka ngritur më së shumti zërin dhe ka futur jo vetëm dorën por edhe trupin nën gurë kundër sulmeve e presioneve ndaj shqiptarëve, boshnjakëve, muslimanëve e grupeve tjera etnike në Ballkan. Turqia ishte e para që qëndroi pranë Kosovës kur e shpalli pavarësinë”, tha Adiloğlu.
Ai theksoi se Turqia do të vazhdojë të mbajë marrëdhënie të ngushta me Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën si dhe me shtetet tjera të Ballkanit dhe shprehu besimin se askush nuk do të mund t’i thyejë këto marrëdhënie që sjellin paqe dhe qetësi në rajon.
Adiloğlu shprehu besimin e plotë se sidomos ata të cilët e kanë vënë në zjarr flamurin e Turqisë do të kapen nga organet gjyqësore të Kosovës dhe do të dënohen me një dënim të merituar.
Turqia, porta më e sigurtë
Gjithashtu edhe kryetari i Shoqatës së Migrantëve nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova (MAKDER), Taner Ödemiş tha se po i ndjekin me shqetësim dhe pikëllim zhvillimet e fundit kundër Turqisë në Kosovë.
Ödemiş tha se e dinë mjaft mirë atë që populli i Kosovës nuk e miraton as postimin e zv/ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Gjergj Dedaj, e as djegien e flamurit të Turqisë nga një grup qytetarësh. Ai tha se mendojnë që prapa këtyre deklaratave dhe veprimeve ndodhen disa llograri tjera.
Sipas tij, pas trazirave qindravjeçare të përjetuara në këto vende, një numër i madh i popujve që jetojnë në Ballkan, Turqinë e shohin si “porta më e sigurtë”.
“Unë si një shtetas i Turqisë me prejardhje shqiptare, po i pres me pikëllim sulmet e tilla që ndodhën në tokat e atdheut tonë. Por, ky qëndrim dhe veprim i cili është bërë nga disa arrogantë, nuk mund të dëmtojë miqësinë në mes të Turqisë dhe Kosovës. Meqë i njohim pikëpamjet e shqiptarëve dhe të komuniteteve tjera në Kosovë në lidhje me Turqinë, mund të parashohim se këto deklarata dhe veprime janë individuale apo ndoshta të drejtuara nga disa grupe”, tha Ödemiş.