Të shkurtër dhe që tingëllojnë bukur. Këto duket se janë kriteret nga të cilët nisen prindërit shqiptarë për të zgjedhur emrat e fëmijëve që sjellin në jetë. Sërish dominojnë emrat e huaj.
Shumica e vajzave që kanë ardhur në jetë në 2019 quhen Amelia, Ajla, Aria dhe djemtë Noel, Aron, Joel. Në vitet 70 emrat më të përdorshëm ishin Lindita, Gëzim, Arben, Shpresa.
Entela Binjaku, psikologe: Trendi është emra të shkurtër mbizotërojnë zanoret, tingëllojnë bukur.
Pasimi i emrit të gjyshit, apo ndikimi i familjes në vendosjen e emrit, duket se është një traditë që i përket së shkuarës.
“Emri është shumë personal nga prindërit, nuk ka emra të ndikuar nga politika, janë më shumë emra të ndikuar nga telenovelat, nga vendet që vizitojnë”.
Por psikologët kërkojnë të bëhet kujdes kur vendoset emri sepse ai ndikon në personalitetin e personit që e mban.
Qeveria shqiptare ka përcaktuar listën e emrave të ndaluar të konsideruar diskriminues që përdoreshin në të shkuarën.
Mbarime, Sose, Burgim, Fodull, Gabime, janë vetëm disa nga lista me 60 emra qe nuk lejohen më tu vihen fëmijëve. Megjithatë vitet e fundit është vënë re një tendencë e çifteve për t’u vënë fëmijëve emra të vjetër shqiptar apo që kanë kuptim në gjuhën shqipe.