Shtatë të vdekur nga përplasja e një makine me emigrantë në Hungari

Shtatë persona mbetën të vdekur dhe katër të tjerë të lënduar kur një makinë me targa serbe që transportonte emigrantë u përplas me një shtëpi në Hungari, pasi shoferi i saj refuzoi të ndalonte për kontroll.

Shoferi pa se policia po kontrollonte makinat në fshatin Morahalom afër kufirit serb dhe u përpoq t’i shmangte duke u larguar me shpejtësi, tha policia të martën për agjencinë e lajmeve MTI.

Makina, e cila kishte 10 emigrantë dhe ishte nisur drejt qytetit të Szeged, më pas u përplas me një shtëpo, shkruan Reuters.

Policia tha se drejtuesi i mjetit, i cili gjithashtu mbeti i lënduar, u ndalua dhe ndaj tij do të nisë procedimi për trafikim personash dhe shkaktim të një aksidenti masiv me fatalitet.

Aksidenti ka ndodhur në afërsi të kufirit të Hungarisë anëtare të Bashkimit Evropian me Serbinë, e cila nuk është pjesë e bllokut. Qeveria e kryeministrit Viktor Orban ndërtoi një gardh në vitin 2015 në kulmin e krizës së emigrantëve, kur qindra persona kaluan atje drejt Evropës Perëndimore.

Marketing