Shtatori me kërkesa të larta për pushime në Shqipëri

Një sezon i suksesshëm veror që solli një numër të lartë turistësh nga vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë, konsiderohet nga operatorët turistikë në Durrës.

Marketing

Risia e këtij sezoni ishte dyndja e turistëve italianë drejt bregdetit, të cilët si kurrë më parë e futën vendin tonë ndër destinacionet e tyre të preferuara.

“Shqipëria ka hyrë në listën e destinacioneve më të preferuara në Evropë. Një numër të madh kanë zënë dhe turistët italianë, në mediat italiane Shqipëria është promovuar shumë.”

Fillimi i Shtatorit gjithashtu shihet si një muaj i mbarë për turizmin, ku plazhet dhe hotelet janë plot, ndërsa kërkesat për ditët në vijim mbeten të larta.

“Pritet akoma të vazhdojnë po themi turistët e huaj të cilët deri në fund të Shtatorit janë të prenotuar dhe me kontrata me garanci, priten dhe turistët e rajonit që janë nga Kosova dhe Maqedonia.”

Operatorët turistikë thonë se shumë vendas dhe të huaj i kanë planifikuar pushimet në Shtator, për shkak të qetësisë që ofron ky muaj dhe çmimet më të lira.

“Shtatori është një nga muajt që preferohet më shumë nga klientë që duan qetësi. Ofertat mund të jenë rreth 20% më të lira se gjatë Gushtit.”

Përgjatë gjithë sezonit veror dhe në vazhdimësi, Durrësi po vizitohet nga një numër i lartë turistësh të huaj dhe pushues të ardhur kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke tejkaluar shifrat e sezoneve te kaluara./

Marketing