Shtëpia e Bardhë ka bllokuar doktor Anthony Faucin të dëshmojë në Kongres, duke thënë se do të ishte “kundërproduktive” që individët e përfshirë në punën për t’iu përgjigjur pandemisë të dëshmojnë në Kongres.
Një komision i Kongresit kishte planifikuar që javën tjetër të shqyrtonte përgjigjen e administratës Trump ndaj pandemisë së koronavirusit por drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive nuk do të dëshmojë sipas Shtëpisë së Bardhë.
Donald Trump, ndërkohë, mirëpriti lëvizjen e Mitch McConnell, lideri i mazhorancës së republikanëve në Senat, për thirrjen e senatorëve në Uashington, pavarësisht se zyra e mjekut të Kongresit raportohet se u thotë republikanëve që ata nuk do të jenë në gjendje të kontrollojnë të 100 senatorët për Covid-19 të hënën.
Presidenti gjithashtu e quajti kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, “të çmendur” që nuk mblodhi kongresmenët. Ai shkarkoi edhe një monitorues të departamentit të shëndetësisë i cili shkroi një raport kritik për përgjigjen e qeverisë ndaj pandemisë.