Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby u tha gazetarëve të enjten se rusët duhet t’ia dorëzojnë trupin e Alexey Navalny nënës së tij.
“Rusët duhet t’i kthejnë djalin e saj dhe ata duhet të përgjigjen se çfarë i ndodhi z. Navalny dhe të pranojnë se ata janë përgjegjës për vdekjen e tij,” tha Kirby në një konferencë virtuale me gazetarët.
Nëna e Navalny, Lyudmila Navalnaya, tha të enjten se asaj iu tregua trupi i djalit të saj në qytetin rus Salekhard dhe nënshkroi certifikatën e tij të vdekjes. Duke folur në kanalin YouTube të Navalny, Navalnaya tha se autoritetet ruse pretenduan se e dinin shkakun e vdekjes së tij dhe kishin “të gjitha dokumentet mjekësore dhe ligjore”. Navalnaya gjithashtu pohoi në video se hetuesit po e “kërcënonin” atë të pranonte një funeral të fshehtë për djalin e saj, ose “ata do të bëjnë diçka me trupin e djalit tim”.
Ndërkohë, sipas një zyrtari amerikan, presidenti Joe Biden u takua të enjten me gruan dhe vajzën e liderit të ndjerë të opozitës ruse Alexey Navalny.