“Shtëpia e torturës”, Policia e Nigerisë liron 500 djem dhe burra

Policia e Nigerisë thotë se ka shpëtuar rreth 500 burra dhe djem nga një ndërtesë, në qytetin verior të Kaduna, ku dyshohet se u torturuan. Ata u gjendën në ndërtesën e një shkolle islamike, dhe në mesin e tyre kishte një numër të madh të fëmijëve. Disa u gjetën të lidhur me zinxhirë, tha policia.

Marketing

Shefi i policisë në Kaduna, Ali Janga, i tha BBC-së, se ndërtesa u sulmua pasi që autoritetet morën informacionin mbi një aktivitet të dyshimtë. Ai e përshkroi atë si një “shtëpi torturash” dhe një vend të skllavërisë njerëzore. Të ndaluarit thanë se ishin torturuar, abuzuar seksualisht, ishin të uritur dhe e kishin të ndaluar të largoheshin nga ndërtesa.

Disa prej tyre kishin qëndruar aty për disa vjet. Në mesin e robërve kishte edhe fëmijë pesë vjeç, tha policia. Nuk është ende e qartë se si përfunduan në atë ndërtesë. Disa nga fëmijët i thanë policisë se të afërmit e tyre i kishin çuar atje, duke besuar se ndërtesa ishte një shkollë për mësimin e Kuranit.

Dy nga fëmijët e liruar nga policia thanë që prindërit e tyre, i kishin dërguar atje, nga Burkina Faso. Policia beson se pjesa tjetër ishin kryesisht nga pjesa veriore e Nigerisë. Tetë të dyshuar, shumica prej tyre mësues, u arrestuan. Autoritetet thanë që afro 500 personat e liruar do të marrin menjëherë ndihmë mjekësore dhe psikologjike.