Një shpërthim sonik, i shkaktuar nga fluturimi i dy aeroplanëve të Forcave Ajrore Mbretërore të Britanisë së Madhe, i ka zgjuar nga gjumi londinezët dhe i ka dridhur shtëpitë e tyre.
Disa banorë shkruan në Twitter se e kanë dëgjuar një shpërthim të fortë rreth orës 4 e 20 minuta në mëngjes dhe e kanë vërejtur dridhjen e shtëpive.
Kjo zhurmë merret vesh se u shkaktua nga fluturimi i dy aeroplanëve të tipit “Typhoon” të Forcave Ajrore Britanike, të cilët fluturuan nga fshati Coningsby në Lincolnshire për ta hetuar një pajisje fluturuese që nuk komunikonte me kontrollin ajror.
Shpërthimi sonik u dëgjua në disa pjesë të Londrës, në Hertfordshire dhe Bedfordshire. Policia Metropolitane e Londrës konfirmoi se zhurma e dëgjuar nga qytetarët e shqetësuar u shkaktua nga aeroplanët që fluturojnë më shpejt se shpejtësia e zërit.
Aeroplanët supersonikë kanë të drejtë ta shfrytëzojnë shpejtësinë maksimale vetëm në raste emergjente, zakonisht kur përdoren për ta penguar një pajisje tjetër fluturuese.
I ashtuquajturi shpërthim sonik ndodh kur aeroplani e arrin shpejtësinë e zërit, e cila është 1236 kilometra në orë, dhe përballë tij krijohet në front i presionit të ajrit, thotë Dr.Jim Wild.
Zhurma që krijohet në këtë rast dëgjohet në një sipërfaqe më të madhe, sepse ajo lëviz bashkë me aeroplanin, shkruan “BBC”
#explosion heard this sound in North West London pic.twitter.com/6vsbswJuou
— Kiran Topan (@topman71) December 1, 2019