Shtohen kërkesat për ridefinimin e shqipes në Kushtetutën e Maqedonisë së V.

Ndryshimet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, duhet ta zgjidhin edhe statusin e gjuhës shqipe, e cila aktualisht është e përkufizuar si gjuhë, të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës që jeton në këtë shtet.

Marketing

Një kërkesë e këtillë është përsëritur nga vazhdimësi nga partitë politike shqiptare, por është refuzuar nga partitë maqedonase. Sipas tyre, kjo do ta bënte shtetin binacional, por kundërshtimin e tyre e kanë arsyetuar edhe me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit që, sipas tyre, përmban një përkufizim të tillë.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, tha më 28 mars se pos për përfshirjen e bullgarëve dhe të etniteteve të tjera në Kushtetutë, grupi i ekspertëve mund të diskutojë edhe për formulimin “prej 20 për qind” për gjuhën shqipe, si dhe çështje të tjera, për të cilat ka lëshime në Kushtetutë.

“Mund të punojnë për ndryshimin e Kushtetutës, jo vetëm në pjesën e preambulës, por edhe të çështjeve tjera të hapura si pjesa që ka të bëjë vakumin institucional siç patëm rastin kur nuk kishte kush të firmoste vendimin për eurobondin. Kemi edhe situatën e pandemisë kur kishim Kuvendin e shpërndarë dhe nuk mund të mblidhej për të sjellë vendime të rëndësishme”, tha Lloga.

Në këtë drejtim, Lëvizja Besa, parti kjo në opozitë, kërkon që gjuha shqipe të gjejë zgjidhje të përhershme në Kushtetutë pasi formulimi aktual në Kushtetutë sipas kësaj partie, është nënçmues dhe nuk përkon me vlerat evropiane.

“Integrimi në Bashkimin Evropian nënkupton që qytetarët e Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe shqiptarët, duhet të integrohen në union si qytetarë të barabartë. Prandaj, ne vlerësojmë që kërkesa jonë është plotësisht kompaktibile që bashkë me futjen e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës – me çka Maqedonia e Veriut e zgjidh problemin e gjuhës maqedonase përballë Bullgarisë – të ndryshojë edhe përcaktimi për gjuhën shqipe. Pra, gjuha jonë të definohet si gjuhë shqipe dhe jo si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë. Ne besojmë se kjo kërkesë do të gjejë përkrahje te partitë maqedonase”, tha kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Ndryshimet kushtetuese edhe për çështje tjera nuk i përjashton kryeministri Dimitar Kovaçevski. Por, ai thotë se prioritet në këtë fazë janë ato për përfshirjen e bullgarëve në preambulë.

“Me siguri se do të paraqiten edhe ide të tjera sa i përket ndryshimeve kushtetuese, pasi edhe ministri i Drejtësisë e theksoi se ka disa aspekte procedurale që duhet të shqyrtuar e që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve. Mirëpo, me rëndësi për momentin i kemi ndryshimet kushtetuese në pjesën e preambulës për përfshirjen e pakicës bullgare në të”, tha Kovaçevski.

Kërkesa për definimin e gjuhës shqipe në Kushtetutë, sipas Bashkimi Demokratik për Integrim, mund të polarizojë shoqërinë. BDI-ja, që është pjesë e Qeverisë, thotë se prioritet duhet të ketë vetëm pjesën që ka të bëjë me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, për të mos e bllokuar procesin e integrimit në BE.

“Ne duhet të përqendrohemi vetëm në ndryshimet kushtetuese që janë të lidhura me vazhdimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian dhe ky proces nuk duhet të ngarkohet me çështje tjera politike që do të polarizonin edhe më shumë shoqërinë”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme dhe zëdhënës i BDI-së.

Edhe njohësit e çështjeve politike kanë mendime të ndryshme nëse Kushtetuta në këtë fazë duhet të pësojë edhe ndryshime tjera.

Analisti Vlladimir Bozhinovski tha se ndryshimet e tilla nuk mund të bëhen pa konsensus të gjerë, por ai theksoi se edhe ndryshimet vetëm për përfshirjen e bullgarëve nuk do të mund të miratohen nëse nuk do të kenë mbështetjen e opozitës maqedonase.

“Asnjë deputet i VMRO DPMNE-së nuk do të votojë për këto ndryshime. Çfarë do të ndodhë më pas nuk mund të themi, por ndryshimet në këtë formë siç synohet të miratohen, nuk do të mbështeten”, tha Bozhinovski.

Por, Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike, tha se në këtë proces duhet të përfitojnë edhe shqiptarët në avancimin e mëtejmë të statusit të tyre, përkatësisht në përkufizimin e drejtë të gjuhës shqipe.

“Nëse shqiptarët nuk arrijnë të bëhen themeltar mendoj se do të jetë një proces që sërish do të mbetet pezull për shkak se shqiptarët janë rritur numerikisht, andaj edhe kërkojnë të drejtat e tyre që të jenë themeltar të Maqedonisë së Veriut”, vlerësoi Sinani.

Ndryshimet kushtetuese janë në fazën përgatitore dhe duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.

Për këto ndryshime duhet të votojnë dy të tretat, apo 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Por, shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen./REL

Marketing