Shtohen rastet e trafikimit të migrantëve

Organizatat që merren me përkujdesjen e migrantëve, kanë përshëndetur aksionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për shpërbërjen e grupit të organizuar për trafikimin e migrantëve. Ata kanë theksuar, se në bazë të informacioneve që posedojnë,migrantët për të hyr në territorin e Maqedonisë së Veriut ilegalisht dhe me qëllim që të shlyejnë borxhet ndaj trafikantëve, jo rrallë janë detyruar të bëjnë punë nga më të ndryshmet.

Marketing

Nga Ministria e Punëve të Brendshme, për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se gjatë vitit 2018 është rritur dukshëm numri i migrantëve që kanë tentuar ilegalisht të kalojnë nëpër territorin e Maqedonisë së Veriut.

Përderisa gjatë 2017, 4 mijë e 129 persona janë penguar të hyjnë ilegalisht në vend, vetëm në 9-mujorin e parë të vitit 2018, kjo shifër është trefishuar, përkatësisht, 13 mijë e 141 migrantë janë penguar që të hyjnë jashtëligjshëm në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, të dhënat nga policia tregojnë se gjatë vitit 2017, viktimë e trafikimit kanë qenë 202 migrantë, e gjatë 9-mujorit të parë të vitit 2018, 763 migrantë kanë qenë viktimë e trafikimit.

Dikasteri i policisë së Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se më 15 shkurt ka shkatërruar një grup kriminal, që ishte i përfshirë në trafikimin e migrantëve. Ky grup kishte transportuar migrantët nga kufiri i Greqisë, për në rajonin e Kumanovës dhe Likovës dhe më pas për të kaluar ilegalisht në territorin e Serbisë.

Përderisa nga organizata joqeveritare Legis, që merret me migrantët, bëjnë të ditur se gjatë vitit 2018 janë regjistruar 4 mijë e 500 migrantë, të cilët ilegalisht e kanë kaluar territorin e Maqedonisë së Veriut.

Po sipas të dhënave të kësaj organizate, 3 mijë e 500 migrantë të tjerë, përmes territorit të Maqedonisë së Veriut, kanë kaluar përmes dy qendrave transitore në Gjevgjeli, në kufi me Greqinë dhe në Tabanoc, që gjendet në kufi me Serbinë.

“Një pjesë e migrantëve u paguajnë menjëherë para trafikantëve, që t’i ndihmojnë ta kalojnë territorin e Maqedonisë, por ata që nuk kanë para të mjaftueshme, shfrytëzohen për të kryer shërbime të caktuara për trafikantët”, thotë Jasmin Rexhepi, drejtues i organizatës Legis.

“Gjatë vitit 2018, migrantët kryesisht kanë qenë nga Irani, India, Pakistani, Bangladeshi, Afganistani dhe shtetet e tjera të Afrikës Veriore”, tregon Rexhepi.

Nga policia kanë njoftuar se ndaj 21 personave janë ngritur aktakuza për vepra penale si “organizim i një grupi dhe inkurajim i kryerjes së akteve të trafikimit me qenie njerëzore”, “kontrabandim të migrantëve” dhe “ndihmë” për “kontrabandimin e migrantëve”.