Shtrenjtohen qindra produkte ushqimore, djathi dhe kaçkavalli bëhen luks!

Nga sot qindra produkte ushqimore janë shtrenjtuar nëpër raftet e marketeve nga 2 deri në 9 denarë. Kjo ndodhi sepse Qeveria vlerëson se janë ushqime luksi për dhjetëra produkte të qumështit dhe bulmetit të yndyrshme, gjitha llojet e apeticierëve, ushqimet e konzervuara, brumërat e ngrira, kompostot, pangjari i kuq, makaronat e mbushur, tortillat, nudëllsat dhe produkte tjera ushqimore, të cilat do të tatohen dyfish. Janë 358 kategori produktesh, që janë hequr nga lista e tatimeve prej 5% të TVSH dhe janë vendosur në listën e tatimeve prej 10%, aty ku bëjnë pjesë edhe ushqimet super të shtrenjta luksoze për qytetarët. Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike tha se ka hapësirë të bëhen korrigjime për disa artikuj.

Marketing

“Me të vërtetë nuk hy në definicioni çfarë është luksoze dhe për kënd, vlerësoj se ky propozim ka qenë i shqyrtuar me Ministrinë, mund të ketë pasur lëshime në ndonjë pikë ose mund të mos ketë asnjë lëshim. Unë them se çdo reagim i qytetarëve vjen dje dhe sot për dhjetëra produkte të caktuara prej 2,000 lloje të produkteve që janë të përfshirë me vendimin. Për ato 10 produkte nuk ka problem të bëjmë ndryshim të vendimit”, deklaroi Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Ma marzhën e 10% të tatimeve janë vendosur edhe ushqime për fëmijë si bollgurët, grizat, akulloret, aerokremi, të gjitha llojet e karameleve, patate të skuqura, të gjithë çajrat, fruta tropikale, të gjitha llojet e frutave të thata, susami, luledielli, kafe e çastit, vaferat, piper i zi, çamçakëzët dhe shumica e erëzave.

Për ekspertët tatimor-fiskal disa produkte duhet të rikthehen nga 10% në tatimin e mëparshëm 5% TVSH. Pavle Gacov pret që kjo të ndodh në seancën e radhës së qeverisë, të paktën për ato produkte që janë të përfshira në çmimet e garantuara, që deri tani kanë testuar reagimet e opinionit.

“I shikuam ne, bëmë analizë krahasimore me shtet tjera, ku atje janë shumë më qartë të sqaruara sikurse në markete që shkruhen. Për fat të keq Maqedonia e ka bërë përmes numrave tarifor të doganave, që kjo kuptohet vetëm nga ekspertët, për qytetarët dhe ata që punojnë në markete është shumë e komplikuar. Ashiqare janë huq disa çështje dhe pres që shumë shpejtë, pasi që vendimi hyn në fuqi sot, të bëhen ndryshime të vendimit”, u shpreh Pavle Gacov, Ekspert tatimor-fiskal.

Në reagimin e Ministrisë së Financave kumtojnë se produktet ushqimore bazë, të cilat janë pjesë e përdorimit të përditshëm të qytetarëve, do të vazhdojnë të tatohen me normën më të ulët të TVSH-së, pra nuk ka ndryshim dhe mbetet në masën 5% siç parashikon Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe të përcaktuara me Vendimin për përcaktimin e mallrave dhe shërbimeve që i nënshtrohen normës preferenciale të TVSH-së, i cili është miratuar nga Qeveria më 28 shtator dhe i njëjti hyri në fuqi sot. Por, qytetarët janë të hutuar pasi që në çdo shitore hasin në çmime të ndryshme dhe nuk ndjehen më të sigurte as në çmimet e garantuara, deri në kryerjen e tranzicionit të çmimeve nëpër rafte. /Alsat.mk