Shtyhet fillimi i vitit shkollor në Kosovë

Fillimi i vitit shkollor në Kosovë është shtyrë për datën 14 shtator. Vendimin e ka bërë të ditur ministri i Arsimit dhe Shkencës në Kosovë, Ramë Likaj, pas takimit me përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, përfaqësues të sindikatës së arsimit dhe ata të këshillit të prindërve.

Marketing

“Nuk po e shtyjmë vitin shkollor për shkak se kemi diskutime me njëri-tjetrin por qëllimi është të përgatitemi sa më mirë, që të kujdesemi për shëndetin e fëmijëve tanë, nxënësve, personelit arsimor dhe gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ministri Likaj.

Të mërkurën, Qeveria e Kosovës miratoi planin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për fillimin e vitit të ri shkollor para-universitar në tri faza, nisur nga 1 shtatori.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), kërkoi të enjten, shtyrjen e fillimit të vitit të ri shkollor për 10 ditë.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, tha për Radion Evropa e Lirë se shkollat nuk i kanë përfunduar përgatitjet për fillimin e mësimit në kohë pandemie.

Kurse, në një komunikatë për media, SBASHK-u kërkoi nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës që t’i pajisin shkollat me dezinfektues dhe të caktojnë persona përgjegjës, por jo mësimdhënës, për matjen e temperaturës së nxënësve.

Gjithashtu u kërkua që shkollat të kenë personel mjekësor kujdestar, së paku ato që kanë më shumë se 500 nxënës, dhe të krijohen mundësi për kryerjen e testit për COVID-19 të personelit arsimor.