Seanca gjyqësore për “Zhan Mitrev” që ishte caktuar për 4 shtator, është shtyrë për shkak se i akuzuari Zhan Mitrev nuk mund të marrë pjesë në seancë për shkaqe shëndetësore, informojnë nga Gjykata Themelore Penale – Shkup.
“Për hir të interesit të mediave dhe organizatave joqeveritare që ndjekin seancën kryesore për rastin me K. nr. 349/23 lidhur me Spitalin Klinik ISHP “Zhan Mitrev” me datë 04.09.2023, njoftojmë opinionin se seanca është revokuar duke pasur parasysh se në gjykatë është dorëzuar parashtresë me dokumentacion të bashkangjitur mjekësor se i akuzuari Zh.M. është penguar objektivisht të marrë pjesë në seancë për shkaqe shëndetësore”, qëndron në kumtesën e Gjykatës Penale.
Nga Gjykata thonë se seanca është caktuar për më 2 tetor 2023, në orën 12:00.
Gjykimi duhej të vazhdonte me marrjen në pyetje të dëshmitarëve me kërkesë të Prokurorisë.
Rasti për Mitrevin ka nisur pasi vitin e kaluar u publikua një dokumentar në të cilin pretendohet se spitali privat “Zhan Mitrev” u ka ngarkuar pacientëve shuma të larta parash për hemofiltrim gjatë mjekimit nga Kovid-19, pa njoftim adekuat dhe pa verifikim të kësaj metode.
Gjykimin e udhëheq gjyqtarja Lidija Petrovska, ndërsa përfaqësuese e prokurorisë është prokurorja Iskra Haxhi Vasileva.