Shtyhet kthimi i Messit në skuadrën e Barcelonës

Barcelona do të përballet me Osasunën të shtunën, në kuadër të xhiros së tretë të sezonit të ri të La Ligës. Në këtë ndeshje do të mungojë Lionel Messi për shkak të një lëndimi të kofshës.

Marketing

Ylli argjentinas tani i ka filluar seancat stërvitore me një trajner të Barcelonës, mirëpo Marca raporton se ai nuk do të kthehet deri pas ndeshjeve të ekipeve kombëtare në fillim të shtatorit, transmeton Gazeta Express.

Trajneri Ernesto Valverde nuk dëshiron ta ngutë kthimin e Messit në formacionin e parë, pasi që rikuperimi i kapitenit të Barcelonës ka qenë më i ngadaltë sesa që ishte pritur dhe klubi katalonas nuk dëshiron ta rrezikojë futbollistin.

Në fillim kishte lajme se Messi ka pësuar edhe një lëndim tjetër gjatë stërvitjeve, mirëpo klubi e ka mohuar kategorikisht këtë lajm, duke konfirmuar se ata vetëm po tregohen të kujdesshëm me yllin e skuadrës së tyre.

Pas udhëtimit të tyre në “Estadio El Sadar”, Barcelona do ta luajë ndeshjen e radhës të La Ligës, kundër Valencias, më 14 shtator.