Shtyhet zbatimi i vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës

Gjykata Komerciale e Kosovës vendosi të enjten për shtyrjen e zbatimit të vendimit të qeverisë për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova, duke shmangur mbylljen e tij deri në një vendim përfundimtar të gjykatës për këtë çështje.

Marketing

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me 28 korrik konfirmoi vendimin e saj të 14 qershorit për pezullimin e certifikatës se biznesit të Klan Kosovës për shkak të mënyrës siç është thënë kundër kushtetuese të regjistrimit të këtij televizioni. Sipas ministrisë në dokumentet e regjistrimit të biznesit shkruan “Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

Por, Gjykata Komerciale vërtetoi sot pohimet e Klan Kosovës për ndryshimet e bëra me 21 qershor.

“Informatat mbi adresën dhe shtetësinë e pronarit të kompanisë me seli në Shkup janë ndryshuar menjëherë dhe të njëjtat janë dorëzuar me datë 21 qershor” thuhet në vendim.

Në vendimin e Gjykatës Komerciale thuhet më tej se zbatimi i vendimit të ministrisë Klan Kosovës “do t’i shkaktonte dëm vështirë të riparueshëm, do t’i humbte licencën e operimit, rreth 220 punonjës do të ngeleshin pa punë dhe do të dështonte në përmbushjen e obligimeve kontraktuale” dhe do të dëmtonte edhe imazhin dhe besueshmërinë e televizionit.

“Qasja në informacionin e siguruar nga mediat është interes publik” thuhet në arsyetimin e gjykatës duke nënvizuar se kjo lidhet ngushtë me lirinë e shtypit e cila është një e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Kosovës.

Nga sot rrjedhë afati prej pesëmbëdhjetë ditësh brenda të cilit ministria e Industrisë ka të drejtë të ankohet kundër vendimit të gjykatës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës mirëpriti vendimin e Gjykatës Komerciale duke theksuar se do të vëzhgojë nga afër procedurat e tjera në vazhdim, siç thuhet “me shpresën që epilogu i shpejtë do të përmbyllë këtë episod të përpjekjes së qeverisë për të minuar lirinë e medies në Kosovë”.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, mirëpriti vendimin e Gjykatës duke theksuar se “ky vendim i përkohshëm mbron pluralizmin mediatik dhe u kundërvihet përpjekjeve të qeverisë për të dëmtuar lirinë e medias”.Vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova u pasua me reagime të ashpra në Kosovë dhe u cilësua si goditje e rëndë ndaj lirisë së medias. Por autoritetet këmbëngulin se, siç thuhet, zbatimi i ligjit kundër sipërmarrësve të fuqishëm që e shkelin atë për përftime financiare, nuk paraqet sulm ndaj lirisë së medias.