Më shumë se 460 mijë gra të arsimuara qëndrojnë në shtëpi dhe nuk kërkojnë punë. Ky informacion është i njohur për autoritetet. Arsyen për këtë problem e gjejnë në faktin se gratë ende i kryejnë aktivitete shtëpiake. Nuk kanë as nxitje për t’u bashkuar në tregun e punës. Problemi është se në Maqedoni nuk ka ekonomi që bazohet në mbrojtje apo shërbim në nivel lokal.
Kjo është për shkak se tradicionalisht konsiderohet se kujdesi për fëmijët, për të rriturit, për të pafuqishmit, mbetet për gratë. Kështu, në një përqindje të madhe, gratë mbeten në kushte shtëpiake, bëjnë punë që nuk paguhen dhe nuk regjistrohen si punëkërkuese aktive- deklaroi Milla Carovska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Përkundër këtij numri të të papunësuarave, punëdhënësit edhe më tej janë në kërkim të stafit profesional. Nga Agjencia për Punësim kanë kërkuar programerë, kontabilistë, ekonomistë, farmacistë dhe juristë. Ndërsa në vazhdimësi kërkohen bravandreqës, instalues, saldues, muratorë, teneqepunues dhe bukëpjekës.
Një nga programet që ka shkaktuar interes më të madh në mesin e të papunëve është programi i vetëpunësimit, i cili këtë vit arrin numrin e 1 mijë e 176 personave. Për këtë program kanë aplikuar 2 mijë e 184 persona. 1 mijë 521 persona deri më tani me sukses i kanë përfunduar trajnimet për zhvillimin e sipërmarrjes dhe zhvillimin e planit të biznesit- tha Bijlana Jovanovska – Drejtore e Agjencisë së Punësimit.
Plani operativ i qeverisë për punësim këtë vit peshon mbi 16 milion euro dhe krahasuar me vitin 2016 ka dyfishuar fondet për uljen e papunësisë. Autoritetet sot me fjalë lavdëruese paraqitën një pjesë të rezultateve dhe theksuan se masat kanë dhënë rezultate të suksesshme. Përndryshe, sipas statistikës çdo i pesti qytetar është i papunë.