Shumica mund të iniciojë mocion ndaj presidentit Ivanov

Shumica parlamentare në Maqedoni mund të iniciojë mocion besimi ndaj presidentit Gjorge Ivanov. Në mungesë të numrave të nevojshëm, mazhoranca nuk përjashton mundësinë që të kërkojë ndihmën e 8 deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, për të shkarkuar kreun e shtetit pak muaj para skadimit të mandatit.

Marketing

Kryepralamentari, Talat Xhaferi thekson se mocioni mund të iniciohet, por fillimisht duhet parë disponimi i deputetëve opozitarë të cilët votuan për nismën e ndryshimeve kushtetuese.

“Për t’u miratuar propozimi për mocion (impiçment) të presidentit, nevojiten 2/3 e votave, që aktualisht Parlamenti nuk i posedon. Do të ishte e panevojshme të futemi në një proces që e dimë se do të mbaronte negativisht. Për këto tema, me ato deputet duhet të diskutohet dhe në rast se e përkrahin, nuk do mend se edhe do të iniciohet”- u shpreh Xhaferi.

Tetë deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe të koalicionit janë të ndarë në qëndrime.
Elizabeta Kançeska Mileska në një bisedë telefonike ka theksuar se nuk do të mbështeste një gjë të tillë, pavarësisht qëndrimit të partisë ndaj saj.

Deputetët tjerë shprehen se nuk e kanë menduar një nismë të tillë dhe se për momentin nuk kanë qëndrim të prerë.

Pas sigurimit të votave të nevojshme dhe posaçërisht pas pengesave të njëpasnjëshme që Ivanovi i ka bërë shumicës dhe Kuvendit në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhës dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, Alsat mëson se shumica po shqyrton mundësinë që impiçmentin ta vë në funksion si mekanizëm për të parandaluar pengesat e mundshme juridike dhe politike që mund të burojnë nga Ivanov ndaj marrëveshjes për emrin.

Mosbesimin ndaj presidentit, kryeministri Zaev e kishte kërkuar edhe para marrjes së mandatit për formimin e Qeverisë. Aso kohë Zaevi nuk i kishte numrat e mjaftueshëm në Kuvend.

Në bazë të rregullores, impiçmentin mund ta iniciojnë 20 deputetë. Në rast të votimit të mosbesimit, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të shtetit kompetencat i kalojnë kreut të Kuvendit.