Si do anëtarësohet Ballkani në BE? Gjermania dhe Franca përgatisin raportin, “gati në 2030”

Gjermania dhe Franca paraqitën këtë javë propozime për reformimin e BE, për ta përgatitur atë për anëtarë të rinj. Ekspertë të mbikqyrur nga të dyja vendet vunë në tryezë disa ide që ndezin debat.

Marketing

Për dokumentin 60 faqesh punuan që nga fillimi i vitit 12 ekspertë ndërkombëtarë institucionesh kërkimore.

Ide për mënyrën dhe ritmet e zgjerimit të BE në situatën e re gjeopolitike botërore nuk kanë munguar as më parë. Këtë herë kemi të bëjmë me një iniciativë të përbashkët të fuqive kryesore të BE, Gjermanisë dhe Francës për të orientuar debatin për reformimin e Bashkimit Evropian.

Ideja se Ballkani Perëndimor dhe ndoshta Ukraina mund të anëtarësohen në BE i bëri bashkë dy shtetet, të cilat kanë pasur pikëpamje të ndryshme në shumë fusha kohët e fundit. Gjermania dhe Franca strukturojnë me raportin diskutimin për reformat institucionale të BE, para apo gjatë anëtarësimit të anëtarëve të rinj.

Ekspertët shkruajnë se deri në vitin 2030, BE duhet të jetë i gatshëm për zgjerimin “dhe kandidatët për anëtarësim duhet të synojnë të përmbushin kriteret e anëtarësimit në BE deri në këtë datë më të hershme të hyrjes.” Urgjenca në hapat për zgjerimin e BE është theksuar pas hapave prapa në demokraci, në shumë shtete të Ballkanit Perëndimor, kandidate për anëtarësim në BE. Për zgjerimin me anëtarë të rinj, dokumenti propozon pranimin në grupe të vogla shtetesh në BE.

Ky variant i përgjigjet më mirë parimit të meritave individuale. Por vendet që do anëtarësohen nuk do kenë që në fillim të gjitha të drejtat për të zbutur rrezikun e bllokimit të anëtarëve të mëvonshëm nga anëtarët e sapopranuar për arsye bilaterale. Në fillim të tetorit, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian do të diskutojnë në një takim joformal në Granada, për herë të parë për ndryshimet në BE. Në dhjetor pritet një vendim për nisjen apo jo të negociatave të anëtarësimit me Ukrainën e Moldavinë.