ASh e Ziadin Selës ende nuk ka vendosur se kah do të rreshtohet në zgjedhje, nëse do të shkojë e vetme ose me BDI-në. Nga kjo parti për TV21 thonë se po presin që të konstituohen organet e partisë e më pas të bëjnë bisedime.
Nga ana tjetër edhe dy partitë tjera shqiptare Lëvizja Poulli e Skender Rexhepit-Zejd dhe PDE e Arjanit Hoxhës po presin vendimin e ASh-së për të bërë lëvizjen e radhës. Zejdi jep sinjale se ka gjasa të formohet një bllok i gjerë politik, për këtë arsye edhe po zgjasin bisedimet.
“Akoma nuk kanë përfunduar bisedimet lidhur me koalicionin e mundshme, shkaku i rrethanave dhe zhvillimeve politike. Siç duket intenca është të formohet një bllok më i gjere politik dhe në këtë drejtim edhe zgjatja e kohës së bisedimeve është e kuptueshme”, tha Skender Rexhepi – Zejd – Lëvizja Populli.
Vendim definitiv nuk ka sjellë as PDE e Hoxhës, por për një gjë janë të sigurt se do të formojnë një koalicion fitues.
“Edhe pse ende s’ka asgjë konkrete në aspekt të pozicionimeve, atë që mund t’iu them është se jemi drejt finalizimit për të rrumbullaksuar një koalicion fitues që do të ishte garancë e rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Europian dhe mbrojtjes politike të pozicionimit të avancuara të faktorit politik shqiptar në të gjitha institucionet e vendit”, pohoi Arjanit Hoxha – PDE.
Ndryshe si ka mësuar TV21, ASH krahu i Ziadin Selës i ka rritur ambiciet dhe kërkon nga BDI 3 deri 5 deputetë për të shkuar me lista të përbashkëta. Kjo me sa duket po i shkakton telashe kreut të BDI-së Ali Ahmeti brenda në parti. Një grup bashkëpartiakësh të tij ka shprehur shqetësim deri te Ahmeti se BDI po u ofron shumë partnerëve potencial të koalicionit. Burimi me të cilin bisedoi TV21 thotë se po përpiqen ta bindin kryesinë e partisë se është më mirë të dalin vetë në zgjedhje, sesa t’u japin shumë deputetë partnerëve të koalicionit, të cilët, nëse do të dalin vetë në zgjedhje, siç thotë burimi, nuk të fitojnë më shumë se 1 apo 2 deputetë./TV21