Si është e vërteta? Rrëzimi i avionit, Irani refuzon të japë kutitë e zeza

Irani ka refuzuar t’u dorëzojë specialistëve ndërkombëtarë kutitë e zeza të avionit që shkaktoi humbjen e 176 njerëzve.

Marketing

Një qëndrim i tillë ka rritur dyshimet duke i shtyrë autoritetet ukrainase që të ndryshojnë edhe qëndrimin zyrtar sa i përket incidentit, ku fillimisht përjashtohej mundësia që aeroplani të ishte rrëzuar si pasojë e ndonjë sulmi terrorist.

Deklarata zyrtare e lëshuar nga Ukraina tashmë është shlyer dhe thuhet se informacionet paraprake kanë qenë jozyrtare.

“Informacionet rreth asaj se çfarë mund të ketë shkaktuar rrëzimin e aeroplanit po sqarohen nga Komisioni. Çfarëdo deklarate që flet lidhur me shkaqet e aksidenti përpara vendimit të komisionit nuk është zyrtar”, thuhet në deklaratën e re të autoriteteve ukrainase, raporton Gazeta Express.

Deklarata e parë që ishte publikuar në faqen e Ambasadës së Ukrainës e që është fshirë, ka përjashtuar sulmin terrorist si shkak të incidentit, duke thënë se informacionet preliminare flasin për një problem në motorin e aeroplanit.

Nga rrëzimi i aeroplanit ukrainas në afërsi të Teheranit kanë mbetur të vdekur 167 pasagjerë.

“Black Box” apo “Kutia e Zezë” është një pajisje e cila regjistron të dhënat e aeroplanit gjatë fluturimit dhe gjithashtu edhe regjistron zërin, dhe është një prej pajisjeve që mund të zbulojë shkaqet e vërteta të incidentit.

Këtë të mërkurë, disa orë pas sulmit iranian mbi bazat raketore amerikane, një avion Boeing 737, me 170 pasagjerë u rrëzua fill pas ngritjes në aeroportin Imam Khomeini në Teheran, Iran.

Përfshirja e avionit nga flakët pas përplasjes e vështirësoi ndërhyrjen e menjëhershme për shpëtimin e jetëve të viktimave.

Sipas FlightRadar24, shërbim për gjurmimin e fluturimeve raportohet se avioni u rrëzua dy minuta pas ngritjes. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pas konfirmimit të viktimave u shpreh se po punohet për të sqaruar rrethanat e tragjedisë.

Është bërë i mundur identifikimi i viktimave, nga ku mësohet se 82 janë iranianë, 63 kanadezë, 11 ukrainas (përfshirë ekuipazhin), 10 suedezë, 4 afganë, 3 gjermanë dhe 3 britanikë.