Si i prek varianti Delta fëmijët

Ndryshe nga versionet e mëparshme të koronavirusit që në pjesën më të madhe nuk preku fëmijët, varianti i ri Delta është më infektues te fëmijët.

Marketing

“Varianti Delta është më ngjitës. Kjo është arsyeja pse po prek më shumë fëmijë,” tha për Healthline Dr. Paul Offit, drejtor i Qendrës së Edukimit për Vaksinat dhe një mjek për sëmundjet infektive në Spitalin e Fëmijëve në Philadelphia.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), varianti Delta është më shumë se dy herë më ngjitës se variantet e mëparshme dhe ka të dhëna që sugjerojnë se mund të shkaktojë sëmundje më të rëndë tek njerëzit e pavaksinuar. Meqenëse shumica e fëmijëve janë të pavaksinuar, kjo i vë ata në një kategori më të lartë rreziku.

Cilat janë simptomat kryesore të variantit Delta tek fëmijët?

Për momentin, është ende herët për të thënë nëse ka dallime të rëndësishme te simptomat e variantit Delta kundrejt varianteve të mëparshme. Yale Medicine raporton se kollitja dhe humbja e nuhatjes janë më pak të zakonshme me variantin Delta, ndërsa dhimbja e kokës, dhimbja e fytit, rrjedhja e hundëve dhe ethet janë ndër simptomat kryesore.

“Simptomat më të zakonshme tek fëmijët dhe adoleshentët duket të jenë ethe dhe kollë, me simptoma të hundës, simptoma gastrointestinale dhe skuqje që ndodhin shumë më rrallë,” tha për Healthline pediatri Dr. Michael Grosso.

Para variantit Delta, shumica e fëmijëve me Covid-19 nuk kishin simptoma. Varianti Delta mund të krijojë më shumë simptoma te më shumë fëmijë sesa më parë.

“Sido që të jetë [varianti], prindërit duhet të qëndrojnë të vetëdijshëm për gjendjet e tjera të shkaktuara nga Covid-19 tek të rinjtë,” tha Grosso.

Një sëmundje serioze për të cilën duhet patur kujdes është sindroma inflamatore MIS-C. “[MIS-C], i cili është një ndërlikim i pazakontë, serioz i Covid-19, fillon disa javë pas infektimit fillestar,” shtoi Grosso.

Simptomat e MIS-C përfshijnë: dhimbje barku, sy të përgjakur, shtrëngim ose dhimbje në gjoks, diarre, rraskapitje, dhimbje qafe, dhimbje koke, të vjella etj.

Marketing