Si po e shkatërron koronavirusi ekonominë, “paralizohen” udhëtimet

Kompanitë ajrore mund të humbasin më shumë se 100 miliardë dollarë të ardhura, për shkak të rënies së kërkesës për udhëtime, si pasojë e frikës nga koronavirusi.

Marketing

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror, vlerëson se humbjet e mundshme do të variojnë nga 63 miliardë dollarë në 113 miliardë.

Ekonomistri kryesor i Shoqatës, Brian Pearce, tha për kompanitë që kanë borxhe, kjo gjendje mund të shkaktojë shumë vështirësi.

“Po shohim rënie serioze të rezervimeve dhe të të ardhurave tani që koronavirusi është përhapur më gjerësisht”, tha ai.

Shpërthimi i koronavirusit ka lëkundur edhe tregjet globale, të cilat shënuan një tjetër rënie ditën e sotme. Frika për koronavirusin dominoi shkëmbimet në bursë, ku në Azi, tregjet ranë më mbi 3%, me humbje të theksuara që u regjistruan në Japoni, Korenë e Jugut e Hong Kong. Më herët, Wall Street u mbyll me një tkurrje prej 3.5%.

Koronavirusi ka shpërthyer në fund të vitit të kaluar në Kinë dhe tani është përhapur në më shumë se 80 vende të botës. Deri më tani mbi 3,000 njerëz kanë ndërruar jetë, dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë infektuar.