Si shkoi nata në Jarinjë?

Nata e dytë e protestës në Jarinjë ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident.

Marketing

Numri i protestuesve serbë gjatë natës është zvogëluar edhe për shkak të temperaturave të ulëta të cilat kanë qenë, megjithatë një numër i tyre ka qëndruar aty edhe mbrëmë, ashtu si një natë më herët, rreth një zjarri që kanë ndezur.

Mbrëmë, ndryshe nga nata e parë, protestuesit nuk kanë bërë thirrje dhe as nuk kanë kënduar këngë nacionaliste.

Klan Kosova raporton se e vetmja lëvizje në këtë pikë kufitare ka qenë ndërrimi i policëve të Njësisë Speciale të Kosovës që ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnatës.

Në ndërkohë rrugët të cilat çojnë në Jarinje, ashtu si edhe në pikëkalimin tjetër kufitar Bërnjak, vazhdojnë të jenë të bllokuara me një kolonë të gjatë të makinerive të rënda që janë vendosur nga protestuesit serbë.

Qeveria e Kosovës mëngjesin e të hënës nisi zbatimin e reciprocitetit për targa duke vënë targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës.

Kjo e tensionoi shumë situatën në veri të vendit ku qytetarët serbë në shenjë proteste bllokuan rrugët në Bërnjak dhe Jarinjë e ku për tri ditë me radhë janë vendosur forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.