Vera tashmë ka ardhur dhe në vendin tonë kjo stinë shoqërohet me temperatura të larta. Kryesisht të moshuarit dhe fëmijët janë kategoritë më të prekura nga i nxehti që pushton vendin tonë. Ndaj dhe për ketë kategori është shumë e rëndësishme që të mos ekspozohen në diell gjatë orëve të pikut.
Me mijëra njerëz vdesin cdo vit nga komplikacionet e shkaktuara nga i nxehti ekstrem. Ndaj dhe ndërgjegjësimi për rrezikun e goditjes nga i nxehti është i domosdoshëm.
Por cilat janë simptomat që vijnë nga i nxehti ?
Temperaturë e lartë e trupit, rrahje të crregullta të zemrës ose vështirësi në frymëmarrje, marramendje ose vështirësi në të ecur, mungesë djerse ose djersitje e tepërt, dhimbjet e muskujve, dhimbje therëse në kokë janë disa nga simptomat që vijnë nga i nxehti.
Çfarë duhet të bëjmë që të mbrojmë shëndetin nga temperaturat e larta?
Disa këshilla të thjeshta, të zakonshme dhe parandaluese nëse i bëjmë pjesë të jetës sonë të perditshme gjatë ditëve të nxehta të verës, ato mund të na ndihmojnë për të reduktuar apo ulur efektet negative të temperaturave të larta në shëndet.
– Evitoni daljet nga shtëpia në orët e nxehta të ditës.
– Vishuni lehtë, me veshje pambuku, të gjera dhe ngjyra të hapura.
– Mbani në kokë kapele ose çadër dhe syze dielli kur dilni nga shtëpia.
– Mbani shtëpinë sa më të freskët. Mbani mbyllur dritaret gjatë ditës.
– Freskohuni here pas here me ujë të freskët.
– Pini lëngje ose ujë në mënyrë të mjaftueshme edhe nëse nuk keni etje.
– Mos përdorni pije alkoolike, lëngje me shumë sheqer apo kafeinë.
– Konsumoni vakte të lehta me përmbajtje të lartë uji, si zarzavate dhe fruta.