Si të thuash ‘jo’, kur s’di të thuash ‘jo’: Ja disa fjali të thjeshta dhe mirëkuptuese!

Nëse mendoni se vetëm ju e keni problem të thoni “jo”, gaboheni. Shumë njerëz gjenden në situata të sikletshme, ku ju duket se nëse nuk pranojnë të bëjnë diçka apo të shkojnë diku, personi tjetër do të mendojë keq, do të mërzitet etj. 

Në rast se gjendeni në dilema të tilla, psikologët inkurajojnë njerëzit t’i bëjnë vetes disa pyetje për të vlerësuar kostot e mundshme. Këto pyetje janë: “A kam kohë, energji dhe para për ta bërë këtë gjë në atë moment?”, “A dua ta bëj?”, “A do jetë kjo një vlerë e shtuar në jetën time?”, “A është në përputhje me vlerat e mia?”, “A po them ‘po’ vetëm sepse kam frikë të them të kundërtën?” etj.

Marketing

Disa mënyra të thjeshta për të thënë “jo”, pa prishur një marrëdhënie dhe pa u treguar “shumë agresivë” janë këto:

1. Faleminderit, por s’është për mua; Faleminderit, por jo nuk mundem. – E thjeshtë dhe e lehtë për t’u kuptuar. Mos harroni se ju mund të thoni “jo”, edhe pa dhënë një shpjegim.

2. “Ofertë” shumë interesante, por unë jam shumë e zënë me punë dhe s’më del koha për momentin. Mund ta bëjmë muajin tjetër? – Një shpjegim i mirë kur s’keni kohë, energji ose para për të bërë diçka, për të shkuar diku etj. Mund të thoni edhe “mos ma merr për keq, por për momentin jam e mbushur me punë”.

3. Nuk kam mundësinë të bëj X gjë për momentin, por mund të bëjmë këtë tjetrën? – Mund ta përdorni në rastet ku mund t’i thoni “po” vetëm pjesërisht kërkesës. 

4. Më fal, por kam diçka tjetër në atë ditë, moment. – Është e rëndësishme ta përdorni këtë vetëm në rastet kur është e vërtetë dhe jo si një gënjeshtër të bardhë për të dalë nga situata.

5. Unë s’të ndihmoj dot, por ke provuar të flasësh me X? – Kështu thua “jo”, por tregon se gjithsesi je e interesuar të ndihmosh.

6. Nuk mendoj se jam personi ideal për të të ndihmuar në lidhje me këtë, më fal. – E thjeshtë dhe e sinqertë.

7. Më fal, nuk kam mundësi të të ndihmoj, por besoj se do ia dalësh mbanë shkëlqyeshëm. Mund të flasim më vonë lidhur me këtë nëse do? – Një mënyrë e mirë për t’i dhënë një shtysë dikujt, sidomos kur shihni se kanë nevojë gjithnjë për një krah mbështetës apo aprovim.

Thelbi i të thënit “jo” është të kuptuarit se pse po e bëni këtë, të vini re se çfarë dhe kujt po i thoni “jo”. Mos harroni se s’ka asnjë problem t’i thoni “JO” çdo gjëje që ju prish qetësinë, që ju lodh apo ju merr energjinë në një mënyrë që ju nuk e pëlqeni dhe që thjesht nuk përputhet me synimet tuaja.