Trotinetet elektronike së shpejti pritet të njihen si kategori e re e komunikacionit rrugor në Maqedoninë e Veriut. Prezenca çdo ditë e më e madhe e këtyre mjeteve alternative për udhëtim kanë ndikuar që organet përgjegjëse në vend me seriozitet ta shqyrtojnë këtë çështje. Edhe nga Ministria për Punë të Brendshme e pranojnë faktin se periudhën e fundit, nëpër rrugët e vendit janë shtuar qytetarët që i shfrytëzojnë trotinetet elektronik.
“Ne si ministri jemi në përgatitje të plotësim-ndryshimeve të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor. Këto ndryshime pritet të bëhen me të vetmin qëllim – rregullimin normativ dhe vendosjen e standardeve për siguri për këtë lloj të pjesëmarrësve në komunikacion”, thonë nga MPB për gazetën KOHA.
Harxhimet e vogla për transport, mos ndotja e ajrit dhe zvogëlimi i trafikut nëpër rrugët e qyteteve mendohet të jenë arsyet kryesore pse një numër i konsiderueshëm i qytetarëve vendosin të blejnë trotinete elektronike. Krahas këtyre përfitimeve, arsye shtesë që i shtyn qytetarët ti blejnë këto pajisje udhëtimi janë çmimet e volitshme, të cilët fillojnë nga 300 euro e përpjetë. Furnizimin me këto pajisje në mënyrë plotësuese e ka bërë atraktive Këshilli i Qytetit të Shkupit, i cili për vitin e dytë radhazi ndan mjete për subvencionimin e qytetarëve që vendosin të blejnë trotinete elektronike.
Një vendim i tillë nga Qyteti i Shkupit është ndërmarrë pas shumë reagimeve dhe kritikave se kryeqyteti po ngulfatet nga ajri i ndotur dhe trafiku i madh. Megjithatë, pavarësisht mbështetjes që administrata e re e Qyteti të Shkupi ua jep qytetarëve për blerjen e këtyre mjeteve alternative për udhëtim, në opinion ka shumë vërejtje për infrastrukturën rrugore. Aktivistët qytetarë ankohen se trotuaret dhe ato shtigje për biçikleta që janë ndërtuar viteve të fundit, vazhdojnë të mbesin të bllokuara dhe uzurpuara. Përderisa pjesa perëndimore dhe lindore e Shkupit janë lidhur me shtigje për biçikleta e këmbësorë, të cilat mund ti shfrytëzojnë edhe trotinentët elektronik, një gjë e tillë mungon në pjesën veriore të kryeqytetit.
PARISI NË “LUFTË” ME TROTINETET ELEKTRONIKE
Përderisa trendi i trotineteve elektronike çdo ditë e më tepër rritet në Maqedoni, vendet evropiane siç është rasti me Parisin dhe metropolet tjera të Bashkimit Evropian, vite me radhe ballafaqohen me vendosjen e standardeve të sigurisë për këtë kategori të pjesëmarrësve në komunikacionin rrugor.
Të dhënat zyrtare flasin se në Paris dhe rrethinë, ekzistojnë mbi 20 mijë trotinete elektronik. Prezenca e madhe e këtyre pajisjeve në kryeqytetin e Francës ka ngjallur reagime të shumë këmbësorëve dhe shoferëve të automjeteve. Së fundmi kryetarja e Parisit, An Idallgo, theksoi se pas shumë ankesave dhe vërejtjeve, autoritet lokale së bashku me policinë do ta kufizojnë shpejtësinë e trotineteve në jo më shumë se 20 kilometra në orë, respektivisht 8 kilometra në orë në vendet për këmbësorë.
Gjobat për shkeljen e rregullave të komunikacion në Paris nga ana e trotineteve elektronik lëvizi nga 35 deri në 135 euro. Ndryshe, në Londër autoritetet lokale e kanë ndaluar lëvizjen e trotineteve elektronik nëpër rrugët publike. (koha.mk)