Sigurohet terapia për sëmundjen psoriaza

Terapia biologjike kundër sëmundjes së lëkurës që njihet si psoriaza tashmë është e qasshme edhe në Maqedoninë e Veriut, por në sasi të vogla dhe e pamjaftueshme për pacientët e prekur.

Marketing

Shoqata e Dermatologëve dhe Klinika Dermatologjike po bëjnë përpjekje që këtë terapi moderne ta përdorin te pacientët me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.

“Bëhet fjalë për sëmundje që e keni tërë jetën, bëhet fjalë për sëmundje që shqetëson pacientët. Ne mjekët do të bëjmë përpjekje maksimale që në të ardhmen këtë sëmundje ta zotërojmë me pajisjet më moderne që ekzistojnë në botë, të cilat tash në këtë periudhë kanë filluar të jenë të qasshme edhe tek ne. Megjithatë nevojiten forca të bashkuara, që të kemi sukses në rrugën që kemi nisur”, tha Andrej Petrov, kryetar i Shoqatës së Dermatologëve në Maqedoni.

Psorijaza është një sëmundje që shkakton edhe probleme psikologjike, për shkak të ndryshimeve që paraqiten në disa pjesë të lëkurës së skalpit, të gjunjëve apo bërrylave.

“Psorijaza është sëmundje gjenetike, megjithatë gjithmonë nevojitet një faktor, qoftë mjedis i jashtëm ose ndonjë stres ose sëmundje tjetër që mund ta provokojë psorijazën, gjithmonë është kombinim. Për pacientët me formë më të lehtë nuk paraqet ndonjë vështirësi, megjithatë psorijaza dihet se shkakton probleme psikike…..Ka lloje vërtetë të rënda të psorijazës ku përfshihet më shumë se gjysma e trupit”, u shpreh Dejan Filipoviq, drejtor i Klinikës Dermatologjike.

Mjekët thonë se terapia biologjike është shumë efikase, është e shtrenjtë por mendojnë se mund të blihet për të mbuluar nevojat. Me këtë sëmundje të lëkurës është e prekur 3 për qind e popullsisë së botës, por edhe në vendin tonë është mjaft e përhapur./Alsat/