Sijarto: Gruevski po angazhohet për integrimin e vendit në BE(Video)

Nikolla Gruevski nga Budapesti fuqishëm angazhohet që vendi të jetë pjesë e BE-së. Kështu ministri i jashtëm i Hungarisë, Peter Sijarto e sqaroi rolin e azilantit Gruevski. Ai nuk mohoi takimet me Gruevskin, por nuk tregoi se për çfarë bisedojnë dhe çfarë informata merr nga ai, e që janë në dobi të qeverisë hungareze. Nuk u përgjigj në pyetjen e drejtpërdrejtë nga gazetarët- mos vallë Gruevski spiunon në Hungari.

Marketing

Për dikë që në këtë rajon ka qenë 10 vjet kryeministër, supozoj se ka shumë njohuri për rajonin dhe unë nuk jam i autorizuar të publikoj asnjë pjesë të diskutimeve tona, por mund t’ju them se ish kryeministri juaj gjithashtu bën shumë përpjekje për anëtarësimin tuaj në BE- deklaroi Peter Sijarto, Ministër i Punëve të Jashtme të Hungarisë.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani tha se në takimin me ministrin hungarez, për ndryshe mik personal i Gruevskit, aspak nuk kanë biseduar që ai të ekstradohet dhe ta vuajë dënimin me burg prej dy vjetëve.

Kjo është çështje juridike që i preokupon institucionet e atyre fushave dhe ato po komunikojnë. Ne nuk kemi lejuar që nga dita e parë që kjo çështje t’i prishë raportet e mira politike mes nesh dhe Hungarisë si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Republikës së Maqedonisë së Veriut- tha Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Ministria e drejtësisë sot konfirmoi se kërkesa për ekstradimin e Nikolla Gruevskit si organizator i ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit ka arritur tek kolegët e tyre në Hungari. Nëse dhe si do veprojë Hungaria, Sijarto nuk u përgjigj. Vendim për kërkesën e tillë do të merr gjykata e atjeshme.