Nuk jam vetëm përfaqësuese e maqedonasve, por kam mbështetjen edhe nga serbët, turqit, romët dhe qytetarët tjerë, thotë kandidatja për president nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska, në intervistën për “Ekspres” të Serbisë. Sipas saj, LSDM dëshiron të krijojë fotografi se kundërkandidati i saj, Stevo Pendarovski, ka mbështetjen e shqiptarëve, por, shtoi ajo, kjo do të shihet që nga rethi i parë, transmeton koha.mk.
“Ideja është që të më paraqesin mua vetëm si përfaqësuese e maqedonasve, ndërsa harrojnë se unë tashmë kam marrë mbështetje nga shumë parti dhe lidhje të serbëve, turqve, romëve dhe qytetarëve tjerë. Për dallim nga procedura në të cilën unë u zgjodha si kandidat, LSDM ka luajtur me demokracinë e brendshme, ashtu që së pari shpalli një konkurs publik, dhe pastaj vendosi për kandidatin e saj të zgjedhur në hotelin “Hilton” në zgjedhje të mbyllura.
Është e vërtetë se LSDM ka arritur sukses të madh në mesin e votuesve shqiptarë në zgjedhjet e kaluara, por sot pakënaqësia e madhe është në mesin e të gjithë votuesve pa dallim të përkatësisë etnike. Pushteti u mor atëherë për shkak të premtimeve se do të ketë drejtësi, luftë kundër korrupsionit, se standardi i jetesës do të jetë më mirë, por në realitet kjo nuk ndodhi. U drejtohem të gjithë qytetarëve dhe nuk i ndaj ato me origjinë etnike. Përveç asaj, kandidati i tretë është shqiptar, kolegu Blerim Reka, kështu që prej raundit të parë do të shohim nëse Pendarovski ka mbështetjen pa rezervë të shqiptarëve, dhe më e rëndësishmja, nëse kjo qeveri është e gatshme dhe në gjendje të organizojë zgjedhje fer dhe demokratike”, u shpreh Siljanovska.