Simulim i shpërthimit të zjarrit në xhaminë ‘Mustafa Pasha’

Katërmbëdhjetë zjarrfikës të shoqatës vullnetare zjarrfikëse “Bajram Miftari” dhe dhjetë vullnetarë të Kryqit të Kuq të Çairit, morën pjesë në aktivitetin, improvizim i shpërthimit të zjarrit në xhami. Ky aktivitet nisi nga xhamia e “Mustafa Pashës” për shkak se siç thonë ata është një monument historik me vlera të mëdha.

Marketing

Qëllimi sipas tyre është i dyfishtë, që zjarrfikësit të njoftohen me objektet dhe vullnetarët të praktikojnë në dhënien e ndihmës së parë, por në të njejtën kohë qytetarët të dijnë si të veprojnë në rast të shpërthimit të një zjarri.

“Zjarrfikësit pa marrë parasysh a janë profesionistë apo vullnetarë, në këtë mënyrë njoftohen me objektet, i dijnë kahjet nga është dalja, i dijnë materialet se me çka janë të ndërtuara e kështu me radhë. Por, edhe në këtë rast qytetarët, pra në këtë rast xhemati kanë një dituri se si të reagojnë në rast zjarri”, deklaroi Nuredin Mustafa, kryetar i shoqatës vullnetare zjarrfikëse “Bajram Miftari”.

“Qëllimi dhe detyra e Kryqit të Kuq është të tregoj dhe të rris vetëdijen për rëndësinë e dhënies së ndihmës së parë në mënyrë adekuade dhe të mësoj qytetarët se si në mënyrë adekuade të ofrojnë ndihmën e parë në raste të katastrofave natyrore”, u shpreh Krenar Hoxha, nga Kryqi i Kuq i Çairit.
Ky aktivitet u mirëprit edhe nga imami i xhamisë.

“Sot bëmë një improvizim të shpërthimit të zjarrit në këtë xhami historike dhe faleminderit bashkëpunimit me brigadën e zjarrfikësve…realizuam një aktivitet, një vetëdijësim të qytetarëve konkretisht të xhematit të xhamisë, që në rast se shpërthen një zjarr se si duhet ne të reagojmë”, deklaroi Abdulsamet Zeqiri, imam në xhaminë “Mustafa Pasha”.

Siç bëjnë të ditur, ata do të vazhdojnë edhe nëpër objektet tjera fetare si xhamitë, ashtu edhe kishat. Kurse i njëjti aktivitet po ashtu zhvillohet edhe nëpër shkollat fillore të Çairit.

Marketing