Delegacioni i lartë amerikan i kryesuar nga nënpresidenti, Mike Pence, po takohet me presidentin e Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, në përpjekje për të siguruar një armëpushim në Siri.
Ofensiva turke në veri të Sirisë ka hyrë në ditën e nëntë (17 tetor), dhe shqetësimet ndërkombëtare për një krizë të re humanitare dhe ringjalljen e grupit militant ekstremist, Shteti Islamik, janë në rritje.
Pence dhe Erdogan mbajtën një takim kokë më kokë për rreth 90 minuta, dhe më pas të dyja delegacionet filluan një takim të përbashkët.
Delegacioni amerikan, në të cilin gjendet edhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, pritet të paralajmërojnë Erdoganin për sanksione shtesë nëse ai nuk e ndalë ofensivën.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tashmë ka vendosur disa sanksione ndaj Turqisë, por ka thënë se shpreson që vizita e Pences dhe Pompeos “do të jetë e suksesshme”.
Nëse bisedimet dështojnë, “sanksionet, tarifat dhe gjërat e tjera që ne do të vazhdojmë të ndërmarrim do të jenë shkatërruese për ekonominë e Turqisë”, ka thënë Trump.
Turqia e filloi ofensivën në Siri pas tërheqjes së trupave amerikane nga veriu i vendit, të cilat bashkë me forcat kurde kishin luftuar kundër grupit ekstremist Shteti Islamik.
SHBA-ja, pasi vendosi të tërhiqet, i bëri thirrje Turqisë të ketë kujdes me veprimet e saja.
Mirëpo presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan, ka thënë se nuk do të ndalë ofensivën derisa luftëtarët kurdë – të cilët Ankaraja I konsideron terroristë – të dorëzojnë armët.