Produkti turk i teknologjisë së lartë me emrin “Diagnovir” pritet të zëvendësojë testet PCR.
“Është zhvilluar një metodë që jep rezultate në vetëm pak sekonda dhe mund të zëvendësojë PCR-në. Nëse është pozitiv, jep rezultat menjëherë (5-10 sekonda). Kur është negativ, duhet pak më shumë kohë me kontrollet (20-30 sekonda)”, tha prof. dr. Abdullah Atalar, rektor i Universitetit Bilkent.
“E gjithë bota do të përfitojë nga kjo teknologji, e cila i përket plotësisht Turqisë”, shtoi ai.
Atalar tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e diagnostikimit të shpejtë të koronavirusit.
“Të zbulosh shpejt se një person është pozitiv (me COVID-19) dhe ta vendosësh atë në karantinë është shumë e rëndësishme për të vënë nën kontroll pandeminë”, tha ai.
Prof. Atalar vuri në dukje gjithashtu se teknologjia në fjalë mund të përdoret edhe për pandemi të tjera të ngjashme me koronavirusin.
Bulend Ortac, një tjetër hulumtues turk, tha se studimi për të zhvilluar një sistem të shpejtë diagnostikues dhe komplet ka vazhduar për 7 muaj.
“Ne kemi arritur rezultate pozitive në studimet e fazës 2. Vëzhguam se testet që kemi kryer si në laborator ashtu edhe në spitale mbi pacientët me koronavirus, dhanë rezultate të sakta me një shumicë dërrmuese”, theksoi Ortaç
“Teksa PCR-ja ka një shkallë gabimi të lartë dhe jep rezultate 2 ose 3 ditë pas sëmundjes, sistemi ynë jep rezultate në fazat e hershme të sëmundjes brenda vetëm pas sekondash. Përveç kësaj, shkalla e besueshmërisë është shumë e lartë, 99%”, shpjegoi ai.
Ortac tha se ata presin që të fillojnë prodhimin serial të produktit dhe ta bëjnë atë të disponueshëm për përdoruesit në dy muaj.
“Kështu, ai do të kontribuojë për të marrë nën kontroll pandeminë dhe për të lehtësuar jetën shoqërore në një masë të konsiderueshme”, shtoi ai.
Është vërejtur gjithashtu se testi është mjaft i lirë në krahasim me PCR-në, gjë që do t’i bëjë testet më të disponueshme për njerëzit si në Turqi ashtu dhe në botë.