Situata në Lindjen e Mesme/ SHBA, thirrje palëve të mos minojnë negociatat për armëpushim. Blinken shtyn udhëtimin në rajon

Qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe të Katarit të mërkurën u bënë thirrje të gjitha palëve në Lindjen e Mesme që të mos “minojnë” negociatat indirekte për një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës, të cilat pritet të rifillojnë më vonë sot në Doha, një paralajmërim që i drejtohet qartë jo vetëm Izraelit dhe Hamasit, por edhe Iranit.

Marketing

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka shtyrë udhëtimin e tij në Lindjen e Mesme, një vendim që disa analistë thonë se mund të konfirmojë se një sulm iranian është i afërt.

Zyrtari amerikan dhe kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdelrahman al-Thani theksuan, gjatë bisedës së tyre telefonike të djeshme, se “asnjë aktor në rajon nuk duhet të ndërmarrë veprime që do të minonin përpjekjet e bëra për të arritur një marrëveshje”.

Negociatat indirekte që synojnë përfundimin e një marrëveshjeje armëpushimi në Rripin e Gazës do të rifillojnë sot në kryeqytetin e Katarit, me ftesë të ndërmjetësve – Doha, Kajro, Uashington, bazuar në propozimin e paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden në 31 maj.

Biden vlerësoi të martën se shpallja e një armëpushimi mund të parandalonte një sulm nga Irani kundër Izraelit. Teherani ka paralajmëruar se do të ketë hakmarrje për vrasjen e liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në kryeqytetin iranian më 31 korrik, për të cilin fajësoi Izraelin./abcnews.al