Situata në veri të Kosovës/ KFOR: Të shmanget çdo përshkallëzim i ri

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mënyra e vetme për arritjen e paqes së qëndrueshme midis Prishtinës dhe Beogradit, është që palët të zgjidhin çështjet e tyre “përmes dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

Marketing

“Është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri dhe që çështjet të zgjidhen në mënyrë paqësore, pasi dhuna nuk ka vend në rajon. KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë mandatin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, u tha në njoftimin e këtij misioni të NATO-s.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga 6 dhjetori, teksa janë regjistruar disa incidente të armatosura.

Më 10 dhjetor, serbët lokalë ngritën barrikada në veri në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi më 12 dhjetor se Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Ai dyshohet për “kryerjen e veprës penale terroriste”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Pantiq “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “janë sulmuar zyrtarë e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.

Teksa Policia e Kosovës ka rritur prezencën në veri, Serbia ka paralajmëruar se më 15 dhjetor do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë që të vendosë deri në 1.000 trupa policore dhe ushtarake në Kosovë.