Situatë e tensionuar në M-NAV, Sindikata e drejtorët “në luftë” për punësimet

Kryetari i Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror, Aleknsadar Tasevski, tha se është ndaluar në bisedë informative për shkak të denoncimit që ia kishin bërë dy drejtorët e “Navigacionit të Maqedonisë”, Fahrudin Memedi dhe Hasim Deari. Tasevskit i është prezantuar kallëzimi i ngritur penal, për cenimin e sigurisë së dy drejtorëve. Tasevski hodhi poshtë këtë denoncim si të pavërtetë dhe e quajti atë si kërcënim direkt ndaj punës së tij sindikaliste, për të parandaluar, siç i kategorizon ai, punësimet si joprofesionale në M-NAV.

Marketing

“Gjatë ditës së djeshme isha i thirrur në sektorin e krimit të dhunshëm pranë MPB-së ku më është prezantuar kallëzimi penal nga ana e dy drejtorëve, Fehrudin Memedi dhe Hasim Deari. Ky kallëzim penal është i ngritur përmes postës elektronike dhe është dorëzuar deri tek ata për shkak të cenimit të sigurisë së tyre. Në përmbajtjen e këtij e-maili nuk është asnjë grafik që asocon në kërcënime mbi jetën, ndërsa në mënyrë tendencioze dhe në mënyrë të gabuar bëhet interpretimi që të më bëhet presion, me qëllim që të heqim dorë nga aktivitetet tona.”, – deklaroi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimeve, Aleksandar Tasevski.

Tasevski kërkon nga të gjitha institucionet përkatëse të rishikohen të gjitha punësimet e realizuara vite më parë dhe se ku janë shpenzuar 400 mijë euro të parashikuara për të ndërtuar apo rinovuar një ndërtesë për nevojat e Navigacionit të Maqedonisë.

Në shenjë të mbështetjes të kryetarit të Sindikatës, Tasevski paralajmëroi se gjatë ditës së enjte do të deponohen edhe 20-30 dorëheqje të reja në postet udhëheqëse në kuadër të Navigacioneve të Maqedonisë.

Luftën sindikaliste, Tasevski e planifikon ta zhvillojë edhe përmes organizimit të grevës pas festeve të fundvitit. Edhe nga MPB-ja kanë konfirmuar bisedën informative me Tasevskin, duke theksuar se në rastin konkret kanë vepruar njëjtë si për çdo një kallëzim tjetër penal. Ata thanë se pas kësaj do të dorëzohet shkresë deri tek Prokuroria Themelore Publike.