Situatë ‘lufte’ në Lushnje, zjarri në qendrën tregtare ngre në këmbë qytetin

Për banorët e qytetarët e shumtë që ndodheshin në këtë godinë 12 katëshe në Lushnje, kjo drekë Krishtlindjesh u kthye padyshim në makth, që vijon tashmë prej 3 orësh.

Marketing

Pamjet që vijnë nga ky qytet ngjajnë me ato të një situate lufte.

Banorë që evakuohen nga dritaret e ballkonet e shtëpive të tyre, zjarrfikës që lenë përgjysmë operacionin për shkak të asfiksisë, ndërsa qytetarë të shumtë shohin nga poshtë godinën 12 katëshe të mbuluar e tëra nga tymi, në ankth për të dashurit e tyre që ndodhen të bllokuar brenda.

Një zjarr i raportuar fillimisht rreth orës 14:30 minuta të kësaj të hëne, u përhap thuajse në të gjithë godinën, duke bllokuar brenda me qindra persona. Në katet e para ndodhet një qendër tregtare, ndërsa katet lart, dy godinat që ndodhen përballë njëra-tjetrës, janë të banuara.

Zjarri që dyshohet se nisi në katin 3 ose 4 të njërës prej godinave, ku ndodhet një restorant bëri që tymi të mbulonte të gjithë godinën.

Paniku dhe mungesa e shkallëve të emergjencës e bënë situatën edhe më të vështirë. Shumë banorë mbetën të bllokuar në shtëpitë e tyre, në pamundësi për të dalë jashtë.

Të papërgatitur për një situatë të tillë, në ndihmë të forcave zjarrfikëse të Lushnjes, shkuan kolegë të tyre nga qytetet përreth, por edhe nga Tirana. Po ashtu në vendngjarje janë ambulanca të shumta, shërbime të policisë, ato të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat speciale RENEA.

Teksa banorët e njërës prej godinave raportohet të jenë evakuuar të gjithë, operacionet vijojnë për t’u siguruar se në godinën tjetër, nuk ka njerëz të bllokuar brenda.

Rreth orës 17:00 një helikopter tentoi të ndërhynte, por pa sukses. Pas shumë përpjekjesh, forcat RENEA mundën të futen nga hyrja qendrore. Të pajisur me mjete të nevojshme për të shpërthyer dyert e blinduara, në përpjekje për t’i hapur për të shpëtuar çdo person që mund të ketë mbetur i bllokuar.

Janë me dhjetëra qytetarët të cilët si pasojë e tymit u asfiksuan, mes tyre fëmijë e të moshuar. Ministria e Shëndetësisë tha se janë 35 persona që po marrin ndihmë mjekësore, 4 prej të cilëve zjarrfikës. Të gjithë ndodhen në spital, fatmirësisht pa rrezik për jetën.

Kjo ngjarje e rëndë bëri që drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme në vend të shkojnë atje. Aktualisht në vendin e ngjarjes ndodhet Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, etj.

Intensiteti i tymit dhe zjarrit ka rënë, megjithatë vatra dyshohet të jetë ende aktive./tvklan