S’ka çerdhe as këtë vit në Hasanbeg

Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski tha se në lagjen e Hasanbegut edhe këtë vit nuk do të ndërtohet çerdhe fëmijësh, shkruan Alsat.

Marketing

Vonesën për ndërtimin e këtij objekti, Stefkovski I’a hedh udhëheqësisë së kaluar të komunës të cilët, sipas Stefkovskit, nuk kanë përgatitur dokumentacionin e duhur për këtë projekt. Fillimin e ndërtimit të çerdhes Stefkovski e paralajmëroi për vitin e ardhshëm.

Banorët e Hasanbegut më shumë se një dekadë janë në pritje të ndërtimit të një çerdhe në gjuhën shqipe. Prindërit, zgjidhjen për fëmijët e tyre e kërkojnë në çerdhet me të afërta ku mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase ose në çerdhet e Shkupit.

“Vetëqeverisja lokale e kaluar aspak nuk ka punuar në përgatitjen e dokumentacionit planor për ndërtimin e çerdhes në Hasanbeg. Nga momenti që jam kryetar komune kam përfunduar plotësisht tre procedura për ndërtimin e çerdheve…mes Keramidnicës dhe Maxharit, Trubarevës dhe plotësisht ka përfunduar procedura për ndërtimin e çerdhes në Inxhikove. Për momentin po punohet në përgatitjen e dokumentacionit planor për ndërtimin e çerdhes në Hasanbeg. Unë jam i bindur se në afat prej katër deri në pesë muaj do ta përfundojmë procedurën dhe në vitin 2025 do të fillojmë me ndërtimin e çerdhes në Hasanbeg”, tha Boban Stefkovski, kryetar i komunës Gazi Babë.